Forcat izraelite e kanë bastisur spitalin më të madh të Gazës në orët e para të së mërkurës, ku qindra pacientë, përfshirë foshnja të sapolindura, kanë mbetur me pak furnizime, përfshirë mungesën e rrymës.
Spitali Shifa është kthyer në simbol të vuajtjeve të civilëve palestinezë gjatë luftës në mes të Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Lufta është nxitur pas sulmeve të grupit ekstremit në Izrael, më 7 tetor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke i marrë peng mbi 240 të tjerë.
Spitali është, po ashtu, në zemër në narrativave rreth asaj se kush duhet fajësuar për mijëra vdekje dhe shkatërrim të konsiderueshëm në Gazën e rrethuar me 2.3 milionë palestinezë.
Izraeli e akuzon Hamasin se i ka përdorur palestinezët si mburoja njerëzore, derisa palestinezët dhe grupet për të drejta të njeriut kanë thënë se Izraeli i ka rrezikuar civilët, teksa tenton ta shkatërrojë Hamasin.
Mohammed Zaqout, drejtor i spitaleve në Gazë, ka thënë se tanket izraelite kanë hyrë në zonën e spitalit Shifa dhe se ushtarët kanë hyrë në ndërtesë, përfshirë emergjencën dhe departamentet e operimit, ku gjenden dhomat për kujdes intensiv.
“Forcat pushtuese kanë hyrë në ndërtesa”, ka thënë ai i zemëruar, përmes telefonit.
Zaqout ka thënë se pacientët, përfshirë fëmijët, janë të tmerruar.
“Ata po bërtasin. Është situatë tmerruese… nuk mund të bëjmë asgjë për pacientët, përveçse të lutemi”.
Ushtria izraelite ka thënë se po kryen “operacion të saktë dhe të shënjestrar kundër Hamasit në disa zona të specifikuara në Spitalin Shifa”.
Ushtria ka thënë se i ka paralajmëruar “autoritetet relevante në Gazë” që të gjitha aktivitetet ushtarake brenda spitalit duhet të ndalen.
“Fatkeqësisht, ajo nuk ka ndodhur”.
Izraeli ka thënë se Hamasi e ka një qendër masive komanduese brenda dhe rreth Spitalit Shifa, mirëpo nuk ka ofruar të dhëna për këtë pretendim, derisa Hamasi dhe stafi i spitalit i kanë hedhur poshtë këto deklarata.