Sport

Vajzat U19| Kosova humbet ndeshjen vendimtare për promovim në Ligën A ndaj Irlandës Veriore

Gazeta10
10 Prill 2023 - 16:34

Kombëtarja e Kosovës U19 për vajza ka pësuar humbje në ndeshjen e tretë dhe të fundit në kuadër të Grupit 3 të Ligës së B për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2023.

Në përballje me Irlandën e Veriut në Belfast, e cila ishte përcaktuese për pozitën e parë në grup, Dardanet U19 pësuan humbje me rezultat 3:1.

Kësisoj, ato e humbën mundësinë e promovimit në Ligën A për edicionin e ardhshëm kualifikues për Evropian, ndonëse në këtë ndeshje i mjaftonte edhe barazimi, ngase në dy ndeshjet e para kishin shënuar fitore kundër Qipros dhe Letonisë.

Kosova kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Gresa Berisha, në minutën e 28-të, e cila u gjend më së miri në zonë pas harkimit nga këndorja dhe me gjuajtje të saktë mposhti portieren kundërshtare.

Megjithatë, vendaset arritën të barazojnë rezultatin në minutën e 57-të përmes Aimee Neal, e cila barazoi shifrat në minutën e 57-të me gjuajtje me kokë pas harkimit nga këndi.

Për fitoren e Irlandës së Veriut u përkujdes zëvendësuesja Keri Halliday, që shënoi dy gola.

Kosova e mbylli këtë fazë në pozitën e dytë, me 6 pikë, aq sa kishte edhe Irlanda e Veriut, por që siguroi pozitën e parë falë fitores në takimin e ndërsjellë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.