
Pas akademisë përkujtimore kushtuar veprimtarit dhe luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Milazim Vataj, djali i tij, Valon Vataj, ka ndarë kujtime për të atin, sakrificën e tij gjatë luftës dhe mesazhet që ua kishte lënë familjarëve para ndarjes nga jeta.
Valon Vataj tha se 28 Nëntori është një ditë edhe më e veçantë për familjen e tyre, pasi në këtë ditë u mbajt akademia përkujtimore dhe u zbulua lapidari në nderim të babait të tij.
“Padyshim, sot është ndjenjë krenarie, meqenëse është dhe ditë festive, 28 Nëntori, e cila është një ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët. Për neve, sot është një ditë edhe më e veçantë, duke pasur parasysh që sot po e mbajmë akademinë përkujtimore dhe zbulimin e lapidarit për babën, i cili ka qenë një aktivist qysh nga fillimet e para të celulave të UÇK-së, gjithashtu ka qenë edhe një ushtar i denjë i UÇK-së”, tha Vataj.
Ai tregoi edhe një nga historitë që babai i kishte përjetuar gjatë luftës, në ofensivën e parë në Budakovë, kur bashkë me bashkëluftëtarët ishte detyruar të përshkonte një rrugë të gjatë në kushte të vështira.
“Ka shumë histori, po njëra është kur ka qenë ofensiva e parë në Budakovë dhe babës, së bashku me shokë, i është dashur 13 km t’i bëjnë në këmbë, zbathur dhe duke bartur edhe shokët e tyre të plagosur, pa ushqim. Kanë kaluar jashtëzakonisht sfida shumë të mëdha, e ne sot duhet të bëhemi më të përgjegjshëm për të dashur dhe kontribuar më shumë për këtë vend, dhe të gjitha veprat e tyre ne t’i dërgojmë aty ku ata na e kanë lënë amanet, sepse Kosovës iu kanë thurë themelet, mirëpo neve na mbetet ta ndërtojmë Kosovën…Mesazhi i ditëve të fundit para ndarjes nga jeta të babait ka qenë gjatë gjithë kohës që kontributi yt nuk shihet në qoftë se vazhdon me bë kontribut vetëm për rrethin e ngushtë apo atë personal, mirëpo kontributi yt llogaritet atëherë kur ke bërë diçka të madhe për Kosovën”, tha ai.
Valon Vataj u shpreh se një lloj komoditeti i krijuar pas luftës sikur po e zbeh idealin që kishin të parët, ndërsa theksoi se familja do të vazhdojë rrugën e tyre dhe do të kontribuojë për vendin.
“Ky komoditeti që kemi fituar, ndonjëherë po e zbeh idealin që kanë pasur të parët tanë. Ne, familja jonë, besoj që do ta vazhdojmë rrugën e tyre dhe do të japim kontribut aq sa mundemi, prej mundësive dhe kapaciteteve tona që i kemi”, përfundoi Vataj.