
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas pjesëmarrjes në ceremoninë e ngritjes së Flamurit Kombëtar në Vlorë, ka vazhduar aktivitetet për shënimin e 28 Nëntorit në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku ka bërë homazhe.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka thënë se 28 Nëntori shënon jo vetëm Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditën e Flamurit, por edhe ditëlindjen e komandantit Adem Jashari dhe shpalljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë, nga Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj.
Kurti ka theksuar se Kruja e Skënderbeut në shekullin XV, Vlora e Ismail Qemalit dhe Drenica e Adem Jasharit, në fillim dhe në fund të shekullit XX, përbëjnë trashëgiminë historike të 28 Nëntorit, e cila, sipas tij, ndriçon të ardhmen e këtij shekulli të ri.