
Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar sot masën nga një muaj paraburgim për A.N., shtetas i Maqedonisë së Veriut, T.E. dhe A.C., shtetas të Kosovës, pasi që janë kapur me 136 kilogramë narkotikë të llojit marihuanë.
Caktimi i masës së paraburgimit është bërë me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, pasi tre të dyshuarit u kapën gjatë një aksioni policor më 27 nëntor, teksa po tentonin që sasinë e narkotikut ta fusnin në Maqedoninë e Veriut nga territori i Kosovës.
I pandehuri J.B., me veturën VW Arteon, ngjyrë e kuqe, dyshohet se ka pasur rolin e vëzhgimit të terrenit dhe të rrugës së transportimit, duke lëvizur përpara automjeteve të tjera dhe duke mbajtur distancë prej tyre, me qëllim të vëzhgimit të rrugës dhe paralajmërimit për pengesa apo kontrolle të mundshme policore.
Ndërsa, A.N. dhe A.C., duke udhëtuar së bashku me veturën VW Tiguan, ngjyrë e bardhë, kanë pasur rolin e vëzhgimit të përcjelljes së automjetit Audi A6, ngjyrë e zezë, të cilën e drejtonte i pandehuri T.E., dhe në të cilën transportohej substanca narkotike, me ç`rast duke drejtuar automjetin Audi A6 ka transportuar marihuanë, të cilën e kishte siguruar nga A.SH., me qëllim të dërgimit të saj në drejtim të Hanit të Elezit dhe më pas në Maqedoninë e Veriut.
Gjithashtu, ndaj të pandehurit T.E. ekziston dyshimi i bazuar se në vazhdimësi të veprimeve, rreth orës 09:50, në afërsi të kryqëzimit të rrugës me autostradën, janë identifikuar automjetet e përfshira në transportimin e dyshuar të substancës narkotike.
Pas përcjelljes nga njësiti policor, është tentuar ndalimi i automjetit në autostradë, ku automjeti VW Tiguan ka ndaluar, ndërsa i pandehuri T.E., duke drejtuar automjetin Audi A6, nuk iu është bindur urdhrave për ndalim duke tentuar t`i shmanget kontrollit policor.
Gjatë ndjekjes policore, i pandehuri ka vazhduar lëvizjen në drejtim të Ferizajt, ku në afërsi të urës së madhe ka shkaktuar aksident trafiku me lëndime ndaj dy qytetarëve që udhëtonin me automjetet e tyre, pas së cilës ka vazhduar ikjen në drejtim të Kaçanikut. Në afërsi të lokalitetit “M”, automjeti ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rrugës.