
Federata “VATRA” ka kërkuar nga presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që të reagojnë mbi zhvillimet e fundit në Ulqin.
“Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, organizata më e vjetër e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër lidhur me një çështje me rëndësi të veçantë kombëtare dhe rajonale: zhvillimet e fundit në Ulqin, përkatësisht dhënia me qira për një periudhë afatgjate e një pjese të konsiderueshme të Plazhit të Madh kompanisë “Eagle Hills Montenegro”, një subjekt privat i regjistruar në Mal të Zi vetëm gjatë këtij viti, me një kapital simbolik. Kjo marrëveshje, e cila ka ngjallur reagime të forta brenda komunitetit lokal shqiptar në Ulqin, si dhe nga aktorë politikë e institucionalë në Mal të Zi, përfshirë Presidentin Jakov Milatoviq, është zhvilluar në kushte jo të qarta transparence dhe me shumë pikëpyetje mbi qëllimet afatgjata të këtij projekti. Të nderuar Presidentë, Ulqini nuk është vetëm një qytet simbolik për shqiptarët në Mal të Zi, por është edhe një hapësirë historike, kulturore dhe ekonomike me rëndësi të veçantë për mbarë rajonin dhe më gjerë. Për këtë arsye, ne ju drejtohemi Juve, si përfaqësues të dy shteteve relevante, për ta ndjekur me vëmendje këtë zhvillim shqetësues dhe për të përdorur kanalet diplomatike e institucionale për të ngritur zërin tuaj në mbrojtje të të drejtave, interesave dhe pronës publike që u përket qytetarëve të Ulqinit.”, thuhet në kërkesën e VATRËS.