
Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj Hisni dhe Bujar Ibishit, të akuzuar për vrasjen e kushëririt të tyre, Ismet Ibishit, më 12 shkurt 2025, në një kafeteri në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.
Gjatë seancës së sotme është paraqitur ekspertiza psikiatrike e të pandehurit Hisni Ibishi.
Psikiatri Shpend Haxhibeqiri ka thënë se, bazuar në ekspertizën e kryer, i pandehuri nuk ka probleme të sferës psikiatrike apo ngecje mendore ose intelektuale.
“Po e kemi pasur dosjen komplet të shkresave të lëndës. Siç e kemi cekur në faqen gjashtë, paragrafin e fundit, i njëjti nuk ka probleme të sferës psikiatrike apo të ngecjes mendore ose intelektuale. Kjo vjen për shkak se i njëjti ka krijuar shkollë, familje, ka punuar, vepruar, ka hapur biznesin e tij, ku kanë treguar se i njëjti nuk mund t’i ketë problemet psikiatrike dhe ka funksionuar pa problem. Sa i përket tronditjes mendore, bazuar në shkresat e lëndës, video-incizimin i cili gjendet në dosje dhe ekzaminimin e drejtpërdrejtë klinik dhe hospitalor, kemi ardhur në konstatim se i njëjti nuk ka pasur tronditje mendore”, tha Haxhibeqiri.
Ai ka shtuar se as në ditën kritike aftësia e të pandehurit për të gjykuar për veprën dhe për të kontrolluar veprimet dhe pasojat e veprimeve apo mosveprimeve të tij nuk ka qenë e afektuar.
“Sa i përket ditës kritike, aftësia për të gjykuar për veprën dhe aftësia për kontrollimin e veprimeve dhe pasojën e veprimeve apo mosveprimeve të veta nuk ka qenë e afektuar, pra nuk ka qenë e ndikuar”, tha Haxhibeqiri.
Gjykata kishte aprovuar edhe propozimin e avokatit Naim Rudari që ndaj të pandehurit Bujar Ibishi të kryhet ekspertizë psikiatrike.
Në seancën e 19 majit 2026 ishte dëgjuar dëshmitari Safet Ismajli, i cili kishte deklaruar se kishte qenë në lokal rreth 10 deri në 15 minuta para se aty të hynte i pandehuri Hisni Ibishi. Ai kishte rrëfyer para gjykatës edhe versionin e tij për mënyrën se si kishte ndodhur vrasja.
Sipas Prokurorisë, Hisni dhe Bujar Ibishi dyshohen se më 12 shkurt 2025, në një lokal në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, “të vetëdijshëm për veprimet e tyre dhe me dashje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Ismet Ibishi, ashtu që derisa viktima ishte duke pirë kafe në lokal, të pandehurit posa hyjnë në lokal i nxjerrin armët dhe shtinë në drejtim të viktimës Ismet Ibishi, ku goditjet rezultojnë vdekjeprurëse”.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 3 nëntor, nga ora 13:30.