Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Vazhdon greva në Kosovë, Nagavci akuzon: Ka vetëm një palë të barrikaduar

Gazeta10
10 September 2022 - 16:36

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka thënë se SBAShK-u është palë e barrikaduar, raporton Gazeta10.

Nagavci ka thënë se pozicioni i tyre është legjitim sepse shumica e kërkesave të mësimdhënësve janë plotësuar.

Tutje, ajo ka thënë se është e hapur për kritika dhe rekomnadime.

Nagavci ka thënë se kjo që është duke ndodhur me grevën më shumë është shantazh dhe se mësimi duhet të fillojë.

Këtu keni postimin e plotë:

“Ka vetëm një palë të barrikaduar.

Pozicioni ynë legjitim është: Të fillojë mësimi. Shumica e kërkesave të mësimdhënësve janë plotësuar, vazhdojmë dialogun e mirëfilltë social.

Pozicioni i drejtuesve të SBASHK: Nuk fillon mësimi para se të plotësoni kërkesën tonë për 100 euro ose për shumën që merremi vesh.

Sikur çdoherë deri më tani, edhe sot dhe çdo çast jam e gatshme për bashkëpunim. E hapur për rekomandime e kritika konstruktive. E vullnetshme për të punuar në avancimin të pozitës së mësimdhënësve ashtu si dhe në vlerësim e ridizajnim të politikave që shpiejnë në përmirësim të rezultateve.

Arsimi në radhë të parë është çështje e përmbajtjes dhe cilësisë.

Çdo orë më shumë e humbur është me pasoja për fëmijët që shkojnë në çerdhet e shkollat publike, për të gjithë ne.

Andaj, të dashur mësues, mos refuzoni të bëni punën më fisnike, atë të mësimdhënies.

Çdo ditë jashtë klasave, ju bën me vetëdije ose jo, pjesë të agjendave të grupeve të interesit që asnjë interes të përbashkët me ju a me arsimin si fushë nuk e kanë. Përkundrazi, kanë kontribuar në gjendjen që e kemi të gjithë.

Mësimi është mbi të gjitha.

Greva ka kuptim kur nuk dëmton nxënësit dhe procesin mësimor. Në situatën aktuale më shumë është shantazh, e përballë shantazhit nuk ka rrugë tjetër veçse të qëndrojmë për vlerat antishantazh”, ka shkruar Nagavci në  llogarinë  e saj në  Facebook.

Kujtojmë se ka disa ditë që punëtorët e arsimit kanë hyrë në grevë në nivel vendi meqë Qeveria e Kosovës nuk ka plotësuar kërkesat e tyre. Nga SBAShK-u kanë thënë disa herë se greva vazhdon deri në plotësimin e kërkesave të tyre. / Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.