Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi është i bindur në fitoren ndaj Andorrës. Kosova e pret Andorrën të martën në ndeshjen e dytë kualifikuese për Evropianin 2024.
Kjo ndeshje luhet në Prishtinë, ndërsa Muriqi beson në tri pikët e para të Kosovës në këtë cikël eliminator.
“Ishte rezultat pozitiv në Tel Aviv, pasi kemi mundur të humbim. Por, për ta bërë më të vlefshme këtë pikë, duhet të fitojmë ndaj Andorrës dhe të tubojmë katër pikë në dy ndeshjet e para kualifikuese, që është një rezultat i i mirë”, është shprehur Muriqi. “Është shumë e rëndësishme ta fitojmë këtë ndeshje dhe mendoj se jemi gati, pasi jemi përgatitur dhe luajmë po ashtu para tifozëve tanë. Pa e nënçmuar kundërshtarin, por çdo rezultat tjetër veç fitores do të ishte i papranueshëm. Fitorja është obligative, sepse nëse duam të kualifikohemi duhet të marrim sa më shumë pikë”, deklaroi Muriqi.