Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Vendimi i madh i Speciales, “Liria ka emër” me dy organizime: Njëri në Prishtinë, tjetri në Hagë

Gazeta10
27 August 2026 - 17:44

Ditët për vendimin ndaj katërshes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë nisur së numëruari mbrapsht, para se Gjykata Speciale ta thotë fjalën e saj.

Për vendimin e madh të Speciales, organizatori i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, ka bërë të ditur se do të ketë dy organizime, ku njëri do të nisë më 12 shtator në Prishtinë e tjetri më 16 shtator në Hagë.

“Po, janë dy organizime. Njëri është me 12 shtator në Prishtinë “Marshi i Lirisë”, Kosova po bëhet gati. Tjetri është më 16 shtator, me të njëjtën moto, me të njëjtin përshkrim, vetëm se është i zhvendosur në Hagë, në kohë reale të ndodhë ku ndodh edhe gjykimi final që e gjithë Kosova e pret. Po, organizimi është shumë i mirë, për shkak edhe të përvojave të dy marsheve të tjera, për shkak edhe të afrisë së emocionit me verdiktin. Edhe ky është tregues që vëmendja qytetare është e rritur në raport me atë se çka po ndodh në Hagë, edhe bashkëpunimi është shumë më i madh se marshe të tjera, që i bie logjikisht që ndoshta do të jetë marshi më i madh ndonjëherë në historinë të Kosovës”, tha Tasholli, raporton KosovaPress

Ai tha se në marshin e 12 shtatorit, numri i qytetarëve që do të jenë në rrugë e sheshe duke i përkrahur ish-krerët e UÇK-së do ta tejkalojë 200 mijëshin.

“Po, zakonisht hezitoj pak të flas me numra, po besoj që, kam përshtypjen që 200 mijë vetë do të jenë në shesh, më 12 shtator, që i bie që do të jetë prej organizimeve më të mëdha ndonjëherë në historinë e Kosovës. Mund të jetë edhe numër më i madh, por nuk besoj që do të jemi më pak se 200 mijë vetë”, tha ai.

Tasholli për KosovaPress foli edhe për organizime të tjera që pritet t’i bëjë platforma “Liria ka emër”, nëse verdikti i Speciales do të jetë lirues për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, ku tha se do të marshojnë me motorë nga Aeroporti i Prishtinës deri në qendër të kryeqytetit.

“Po, nëse vendimi do të jetë lirues, ne e kemi paraparë një marsh tjetër me motorë, motoristë. Nëse ju kujtohet e kemi pasur një marsh në Hagë dhe kjo do të jetë një ndër format e organizimit të mikpritjes së tyre, mirëpritjes në fakt, edhe kemi paraparë që nga aeroporti i Prishtinës deri në Prishtinë në qendër, me siguri do të jetë krejt Kosova në rrugë duke i pritur. Edhe kjo është ajo simbolika që do të provojmë me e bë. Tash nuk i dimë për shkak të specifikave edhe protokolleve të caktuara se qysh do të ndodhin, po nijetin e kemi të mirë për me e bë një lloj simbolike të organizimit, të mikpritjes së tyre në vendin dhe tokën që i përkasin”, tha Tasholli, raporton KosovaPress.

Vendimi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare në Hagë, të cilët po mbahen në paraburgim që nga fillimi i nëntorit të vitit 2020 në Hagë do të jepet nga Gjykata Speciale më 16 shtator.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.