
Me përplasje dhe akuza mes opozitës dhe legjislativit është përcjellë seanca e Kuvendit, në të cilët parashihej të votohej projektligji për çmimet tavan për produktet themelore. Megjithatë, ky projektligj përveç që nuk u miratua në mungesë kuorumi, u kritikua nga opozita, raporton Gazeta10.
Raporti: Gresa Bardhecaj
Kamera: KP/
Në mungesë kuorumi, ka dështuar të miratohet projektligji për çmimet tavan për produktet themelore, pasi vetëm 58 deputetë kanë marrë pjesë në votim.
Por, para se kjo nismë të hidhej në votim, seanca e së enjtes e Kuvendit të Kosovës, është karakterizuar me përplasje dhe akuza mes deputetëve të pozitës e opozitës, si dhe nga kabineti qeveritar.
Ishte ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, që u kërkoi deputetëve ta votojnë këtë projektligj, derisa u kundërshtua nga deputetët të cilët edhe patën kritika ndaj ministres.
Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se tregtarët po abuzojnë me çmime, prandaj sipas tij, është e nevojshme që kjo gjendje të rregullohet me ligj.
Por, të vona këto veprime, i cilësoi opozita.
Megjithatë, përplasjet e opozitës me pushtetin vetëm intensifikoheshin, derisa kuvendi shkoi në pauzë.
Deri më tani, çmimi tavan është caktuar vetëm për derivate, derisa në treg ka kohë që çmimet e shumë produkteve bazë janë rritur.