
Raporti: Egzona Shala
Të premten kanë vazhduar vërshimet në komunën e Vushtrrisë si pasojë e reshjeve të shiut. Shkollat e cerdhet u mbyllën ndërsa shumë biznese e familje janë goditur duke pësuar humbje të mëdha. Kryetari i komunës Ferit Idrizi ka kërkuar ndihën e FSK-së në rast të eskalimit të situatës nëse përkeqësohet gjendja.
Vërshimet të cilat kanë filluar që nga dita e mërkurë në komunën e Vushtrrisë kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale tek bizneset.
Ndonëse nuk kishin kushte të mira për operim të punës bizneset në “tregun e gjelbër”, tani vërshimet e kanë bërë edhe më të vështirë zhvillimin e saj.
Pronarët e bizneseve thonë se me këto të ardhura kanë mbajtur familjet e tyre e tani nuk din se si do t’ia bëjnë.
E disa të tjerë thonë se gjithë mallin duhet ta hedhin në mbeturina pasi atë më nuk mund ta përdorin.
Pronaret e bizneseve po kërkojnë ndihmën e komunës pasi nuk kanë zgjidhje tjetër se si të dalin nga kjo situatë.
Për shkak të vërshimeve janë mbyllur shkollat dhe çerdhet, pasi vërshimet e ujit e kanë bërë të pamundur zhvillimin e mësimit.
E gjendja brenda shkollës “Naim Frashëri” është e qetë dhe janë marr masat e nevojshme.
E lidhur me këtë kryetari i komunës Ferit Idrizi ka thënë se ka kërkuar ndihmën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në rast të rritjes së rrezikut më të madh të vërshimeve.
Gjendje e rënduar është edhe në rrugët lokale të komunës së Obiliqit, ku makinat e kanë të vështirë kalimin përmes tyre.
Qytetet më të prekura ishin Vushtrria, Prishtina, Obiliqi dhe Fushë Kosova. /Gazeta10/