
Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për një djalë të mitur të varrosur në rrënojat e një blloku apartamentesh në Kryvyi Rih, Ukrainë, i cili u godit nga një raketë ruse të premten, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur mbi një duzinë të tjerë, sipas zyrtarëve, shkruan CNN, transmeton Gazeta10.
Ndër të vdekurit ishin prindërit e djalit 20-muajsh, tha për CNN nënkryetari i bashkisë së Kryvyi Rih, Serhiy Miliutin. Të afërmit e tyre janë njoftuar për vdekjen e tyre, shtoi ai.
Një grua 64-vjeçare e paidentifikuar gjithashtu u vra, shkroi në Telegram Oleksandr Vilkul, kreu i administratës ushtarake të qytetit Kryvyi Rih. Ai shtoi gjithashtu se çifti ishin rreth të 30-tave.
Trembëdhjetë persona, përfshirë katër fëmijë, u plagosën, shtoi Vilkul, me një fëmijë shtatëvjeçar në mesin e tre personave të plagosur që janë në “gjendje të rëndë”.
Ai vazhdoi se më shumë se 100 njerëz jetonin në bllokun e apartamenteve.
“Banorët e kësaj dhe të shtëpive fqinje, të cilat kanë dëmtime, janë vendosur në qendrat e akomodimit të përkohshëm, po marrin gjithçka që u nevojitet”, tha ai. “Ekuipazhet e urgjencës nga i gjithë qyteti po eliminojnë pasojat e dëmtimit në ndërtesat fqinje – këto janë 30 shtëpi, një shkollë dhe një spital. Njerëzit nuk do të mbeten pa ndihmë.”
Qyteti në Ukrainën jugore ishte ndër më të goditurit në valën e fundit të sulmeve me raketa ruse, thanë zyrtarët.
“Të gjithë objektivat e tyre sot janë civilë, dhe këto janë kryesisht objekte të furnizimit me energji dhe ngrohje”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të premten në fjalimin e tij të natës. / Gazeta10.