Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Vetëvendosjes i ‘humbin’ deputetët

Gazeta10
03 October 2022 - 19:54

Kuvendi i Kosovës ka votuar vendimin e Qeverisë për vazhdimin e masave emergjente për furnizim me energji. Por për ta finalizuar këtë vendim, partisë në pushtet iu deshën orë për t’i mbledhur deputetët. Përkundër përpjekjeve të kreut të kuvendit, deputetët e koalicionit qeverisës, nuk u paraqitën për një kohë të gjatë. Kjo shkaktoi pakënaqësi tek opozita, të cilët lëshuan sallën, pos deputetes Albena Reshitaj, raporton Kanal10.

Raporti: Bleona Dallaveraj, Kamera: Labeat Krasniqi.

Ndonëse ishte caktuar që të fillonte në ora 11:00, seanca plenare e së hënës, nuk filloi pa praninë e të gjithë deputetëve të pushtetit.

Pikë kryesore e rendit të ditës ishte vazhdimi i masave emergjente për furnizim me energji, të cilat në seancën e kaluar nuk kishin vota të mjaftueshme.

Me të kaluar ora e caktuar për nisje të seancës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje  nuk po shfaqeshin ende në kuvend, e pas kësaj i pari i legjislativit, Glauk Konjufca e shtyu seancën për në orë 12:00.

Ky vendim shkaktoi reagime të ashpra tek deputetët e opozitës.

Me gjithë shtyrjen e seancës, të gjithë deputetët e partisë në pushtet nuk u dukën as në orën 12.

Kjo bëri që opozita ta lëshonte sallën.

Të parët që nisën largimin ishin ata të LDK-së.

Nga opozita mbeti vetëm deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, e cila vlerësoi se shtyrja para e këtyre masave është më rëndësi për vendin.

Përkundër largimit të opozitës, partia më e madhe në vend, vazhdoi pritjen derisa u plotësua numri prej 61 deputetëve.

Pritja vazhdoi edhe po thuajse për 1 orë e gjysmë, e gjatë kësaj kohe, deputeti i Vetëvendosjes Armend Muja, u sigurua të ruante dëshmi listën e deputetëve që nuk ishin të pranishëm në seancë.

Pritjen e gjatë, kryekuvendari Konjufca, e arsyetoi duke thënë se votimi në parim i këtyre masave është me rendësi jetike për Kosovën.

Përveç votimit për vazhdimin e Masave Emergjente për Furnizim edhe për 30 ditë të tjera, deputetët e pushtetit i dhanë dritën jeshile edhe Projektligjit për Edukimin në Fëmijëri të hershme./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.