
Një video e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje në faqen e saj në facebook, ka zgjuar reagime të mëdha. Kjo pasi në të përfshihen të gjitha partitë opozitare me një qëllim të vetëm në krim e korrupsion. Partitë opozitare e quajnë skandal një video të tillë duke thënë se është rezultat i një qeverisje të dështuar, derisa njohës të politikës e konsiderojnë si tentim për të zhvendosur vëmendjen nga problemet reale, raporton Kanal10.
Raporti: Saranda Alshiqi, Kamera: Deurit Shaljani.
Në dy minuta video, Vetëvendosje vendosi të përmbledh qeverisjen 20 vjeçare të partive tashmë opozitare, duke i quajtur si shkatërruese të vendit.
Në anën tjetër si të suksesshme e përmend qeverisjen Kurti, si në pandemi ashtu edhe në fushat e tjera.
Kjo video ka ngjallë reagimin e ashpër të opozitës, duke thënë se pavarësisht pushtetit që posedon Qeveria Kurti, po dështon për të qeverisur me vendin.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu e quan të ulët një veprim të tillë, derisa thotë se në vend se të flas për punën dy vjeçare të saj kthehet tek fyerjet dhe sulmet.
Ndërsa, Time Kadrijaj nga AAK e quan skandaloze videon e publikuar nga Vetëvendosje.
Njohësi zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri thotë se qëllimi i videos ka qenë devijimi i vëmendjes nga problemet reale, duke shtuar se një gjë e tillë shkon vetëm në dëm të saj.
Vetëvendosje njihet edhe më herët për video të tilla, por është hera e parë që një veprim të tillë e bën duke qenë në pushtet.
Përveç ish-krerëve institucionalë, që disa prej tyre ndodhen në Hagë, në video përfshihen edhe liderët e opozitës e drejtues sindikatash./Gazeta10.