
Me rastin e vizitës dyditore të Presidentes së Hungarisë, Katalin Novak, disa segmente rrugore do të ndalohen për qarkullim.
Këtë e ka bërë të ditur, Policia e Kosovës, raporton Gazeta10.
“Policia e Kosovës do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë. Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, policia do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në intervale të shkurta kohore të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete”, bëhet e ditur në njoftim.
Më tej, Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik./Gazeta10