Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Vuçiqi paralajmëroi vizitë në Kosovë

Gazeta10
19 January 2024 - 21:18

Pas pesë vjetësh, presidenti i Serbisë synon të realizojë një vizitë në Kosovë për t’iu adresuar popullit serb. Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar nëse ka arritur një kërkesë nga ana e Vuçiqit.

Vitet e fundit ka pasur refuzim të vizitave nga të dyja palët edhe në nivele më të ulëta, teksa së fundi një kërkesë për ta vizituar Luginën e Preshevës iu mohua ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla. Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje palëve që t’i respektojnë marrëveshjet për vizitat e ndërsjella.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka shprehur dëshirën që të vijë në Kosovë, pesë vjet pas vizitës së tij të fundit. Synimin për t’iu adresuar popullit serb, ai e ka shprehur disa ditë pasi autoritetet e shtetit që përfaqëson nuk ia miratuan kërkesën ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, për ta vizituar Luginën e Preshevës.

“E pashë se thonë që Xhelal Sveçlës t’i lejohet vizita në territorin e Serbisë qendrore në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara në kohën e Borko Stefanoviqit dhe të konfirmuara më vonë. Nuk shoh shumë rrezik në këtë, edhe pse sigurisht që ai do të vinte të provokonte. Kam kërkuar edhe të shkoj në Kosovë e M. dhe t’i drejtohem popullit. Do të ishte mirë që të respektohen marrëveshjet dhe të flasim me njerëzit në tokën e shenjtë serbe”, ka thënë Vuçiq për mediat serbe.

Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar nëse ka një kërkesë zyrtare nga Vuçiqi dhe nëse ajo do t’i aprovohet.

Hera e fundit kur Vuçiqi vizitoi Kosovën ishte në vitin 2018. Prej atëherë, me gjithë paralajmërimet, ai nuk ka hyrë në Kosovë. Një përpjekje e bëri më 15 shtator të vitit të kaluar, kur tha se për ta vizituar Kosovën e pyet popullin serb e jo kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.