
Raporti: Gentiana Gashi
Ndërmjetësit e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i kanë ftuar dy liderët, Albin Kurtin e Aleksandar Vuçiqin, në një takim për javën e ardhshme, porse ende nuk ka konfirmim nëse një i tillë do të ndodh ose jo. Analistët thonë se kreu i qeverisë së Kosovës duhet ta shfrytëzojë këtë takim, për t’i prezantuar pakënaqësitë që ka. Ndërkaq presidenti serb, ka thënë se dialogu me Kurtin është inekzistent, pasi ai do luftë.
Njëri është i prerë në përgjigje, e tjetri akoma nuk ka treguar nëse do të shkojë në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, as edhe të dielën nuk ka treguar nëse do të pranojë një takim me Aleksandar Vuçiqin, për të diskutuar rreth situatës së javëve të fundit, në veri të vendit dhe rrëmbimit të policëve të Kosovës.
Por, ftesës së përfaqësuesit të BE-së për Politik të Jashtme, Joseph Borrell, i është përgjigjur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Për mediat serbe, Vuçiq, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në takimin me Kurtin, të thirrur nga Brukseli.
“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë. A do të vendosi teknikisht të shkojë atje apo jo, ky është vendim i yni taktik. Por, të flasim me Kurtin, jo”.
Mirëpo, njohës të procesit të dialogut, thonë se pavarësisht rrethanave të fundit në vend, Kosova duhet të vazhdojë dialogun.
Visar Xani, konsideron se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë takim për t’i prezantuar të gjitha dëshmitë dhe pakënaqësitë që ka.
Ftesa nga Brukseli për takimin mes dy liderëve erdhi pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës dhe pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe në Bare të Leposaviqit.
Për këtë, faktori ndërkombëtarë, kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe./Gazeta10