
Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka thënë se Shqipëria është përkrah Kosovës dhe se ajo mbështet me vendosmëri sundimin e ligjit në veri, raporton Gazeta10.
Në një konferencë për media ajo ka thënë se ka përcjellur me shumë vëmendje dhe shqetësim ngjarjet në veri të Kosovës.
Më tej, ajo ka thënë se sulmet dhe bojkotimi i institucioneve nga Serbia kanë krijuar një përshkallëzim të pajustifikuar dhe që ka mundur të degradonte edhe më keq.
“Ne kemi ndjekur me shumë vëmendje dhe me shumë shqetësim gjitha ngjarjet në Kosovë, në kontakt të ngushtë me partnerët tanë. Vendimi konstruktiv i Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve në veri, ishte një vendim i duhur por për fat të keq nuk ia doli që të ç‘tensiononte situatën, ashtu siç duhej të kishte ndodhur. Dhe pastaj bojkoti i institucioneve, akteve të papranueshme të dhunës nga disa grupe të serbëve të Kosovës kundër policëve të Kosovës, kundër EULEX-it, kundër gazetarëve e përkeqësuan më tej situatën duke krijuar në këndvështrimin tonë një përshkallëzim, një tension artificial të pajustifikuar, të papranueshëm i cili mund të kishte degraduar më keq nga ajo që kemi parë deri më tani”, shkruan Euroneës Albania.
Më tej, Xhaçka ka thënë se Shqipëria ka bërë thirrje për koordinim me ndërkombëtarët dhe për heqjen e menjëhershme të barrikadave.
“Prandaj edhe ne kemi bërë thirrje, koordinuar me partnerët edhe aleatët tanë për t’i dhënë fund këtyre akteve, për të hequr menjëherë barrikadat, sigurisht të rreshtuar krah Kosovës. Ne jemi edhe më të vendosur përkrah Kosovës. Shqipëria mbështet me shumë vendosmëri sundimin e ligjit në veriun e Kosovës”, ka thënë ajo. / Gazeta10