
Prishtinë-Për shkak të mungesës të të akuzuarave ministrit Xhelal Sveçla, si dhe Dardan Molliqajt, Pajtim Havollit, Arsim Maqastenës Agron Kabashit , Frashër Krasniqit dhe Nol Nushit, Gjykata Themelore e Prishtinës në seancën e së mërkurës, ka vendosur që ndaj tyre të veçohet procedura, në rastin ku ata po akuzohen për veprime të dhunshme në protestën e 2013-ës.
Gjykatësi Eroll Gashi njoftoi se ndaj tyre gjykata do lëshojë urdhërarrest ose sjellje me detyrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjyqtari Gashi tha se i akuzuari Xhelal Sveçla nuk prezanton në seancën e sotme edhe pse sipas tij, përmes procesverbalit të datës 09/03/2023 ka qenë i njoftuar për seancën, por nga njoftimi zyrtar me 29/03/2023 ka lajmuar gjykatën se “me keqardhje ju njoftoi se për shkak te angazhimeve të natyrës urgjente nuk mund te marr pjesë ne seanca”.
Ndërsa, për të akuzuarin Dardan Molliqaj për te cilin gjykata më 24 03 2023 ka leshu urdhëresë për sjellje me detyrim, gjyqtari Gashi tha se nga Policia e Kosovës më 29/03/2023 ka njoftuar gjykata se “në adresën e shënuar të dera e banesës nuk e hap askush dha nga banoret e ndërtesës jemi njoftuar se personi në fjalë nuk e kanë parë duke hyrë në banesë rreth 4/5 muaj”
Për Frashër Krasniqin gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, porse policia nuk e ka gjetur atë në adresën e paraqitur në shkresat e lëndës dhe se i takon një stacioni tjetër policor që ta sjellë atë.
“Është lëshuar edhe urdhëresa drejtuar stacionit policor qendra mirëpo deri më tani nuk kemi njoftim lidhur me moszbatimin e kësaj urdhërese”, ka thënë Gashi.
Ndërkaq, seanca po vazhdon me tre te pandehurit tjerë prezent në seancë Egzon Azemi Pajtim Demaj dhe Afrim Hoxha, të cilët nuk janë pajtuar që të veçohet kjo procedurë, por gjykata duke u bazuar ne nenin 35 të Kodit të Procedurës Penale mori vendim dhe veçoi procedurën penale ndaj tyre. /Gazeta10/