Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Xhiro e 23-të në Superligë, vëmendja në Klinë, Lipjan e Drenas

Gazeta10
01 Mars 2024 - 11:22

Superliga e Kosovës në futboll do të rikthehet këtë fundjavë me xhiron e 23-të.

Pesë ndeshje për dy ditë, me fokusin kryesor në tri qytete, aty ku luajnë tre pretendentët për titull.

Në Klinë, më 2 mars, Dukagjini i Armend Dallkut do të sfidojë skuadrën kampione të Ballkanit.

Dukagjini që xhiron e kaluar pësoi në Gjilan, synon të rikthehet te tre pikëshi në takimin e vështirë ndaj skuadrës nga Suhareka.

Të besuarit e Ilir Dajës kanë vetëm dy fitore në 10 ndeshjet e fundit zyrtare, teksa në pranverë kanë 1 fitore, një humbje e dy barazime.

Të shtunën luan edhe Drita, e cila udhëton për në Lipjan për t’u ndeshur me Fushë Kosovën.

Bardhekaltërit nga Gjilani kanë kapur formën e duhur në dy ndeshjet e fundit, ku kanë arritur dy fitore.

Fushë Kosova në katër ndeshjet e para ka dy barazime e dy humbje.

Edhe Llapi i Tahir Batatinës luan të shtunën, mirëpo në qytetin e Drenasit.

Feronikeli ’74 nën drejtimin e Shefki Kuqit do të synojë t’i shkaktojë probleme skuadrës llapjane.

Në gjysmën e dytë të sezonit, “Nikli” ka dy barazime e dy humbje, teksa Llapi tri fitore e një barazim.

Ditën e diel do të luhen dy ndeshjet tjera të mbetura, mirëpo jo më pak të rëndësishme.

Prishtina, e cila po kalon në formë të luhatshme, do të jetë nikoqire e Lirisë, e cila po ashtu nuk gëzon formë të mirë.

Kryeqytetasit herën e fundit në fushën e gjelbërt barazuan pa gola me Llapin në Podujevë, teksa Liria e Ali Gunes mori vetëm një pikë ndaj Fushë Kosovës.

Në stadiumin me bari sintetik, Gjilani do të presë skuadrën që po shkakon befasi në Superligë, Malishevën.

Gjilani ka katër barazime në stinorin pranveror, teksa herën e fundit ndali kampionin e dyfishtë të Kosovës, Ballkanin.

Malisheva nga katër ndeshje, ka tri fitore e një humbje, derisa zë vendin e katërt në tabelë.

Tabelës së klasifikimit i prin Ballkani me 45 pikë,  i ndjekur nga Llapi me 44 pikë. Në vendin e tretë është Drita me 43 pikë.  

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.