Kjo fundjavë na sjell para ekranit xhiron e fundit në elitën e futbollit anglez, ku gara për mbijetesë vazhdon të jetë e ashpër.
Tashmë kampioni i ligës, Manchester City këtë javë luan ndaj Brentfordit si mysafir.
Djelmoshat e Pep Guardiolas para dy xhirove arritën që të sigurojnë titullin e kampionit për herë të nëntë në histori të klubit, gjersa Brentford po vazhdon të luftojë për një vend në Evropë sezonin e ardhshëm.
Ndeshje tjetër interesante do të zhvillohet edhe mes Arsenal dhe Wolves.
“Topçinjtë” pozicionohet në vendin e dytë, kështu duke siguruar Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm, teksa Wolves, nën drejtimin e Julen Lopetegui udhëton për në
“Emirates” për ta mbyllur sezonin me tre pikë.
“Stamford Bridge” do të jetë mikpritës i ndeshjes Chelsea – Neëcastle.
“Laraskat” siguruan një vend në top katërshe pas barazimit ndaj Leicester xhiron e kaluar, ndërsa Chelsea sezonin tjetër do të jetë pa gara evropiane, pasi nuk arriti të pozicionohej lart në tabelë.
Në xhiron e fundit, Manchester United pret në “Old Trafford” skuadrën e Fulham.
Fulham siguroi mbijetesën në Premier League këtë sezon pas promovimit nga Championship, madje duke u renditur në mes të tabelës, teksa të besuarit e Ten Hag janë tre pikë larg Ligës së Kampionëve.
Liverpooli i Jurgen Kloop udhëton për në “St. Mary’s”, aty ku përballë do të ketë skuadrën e rënë nga liga, Southampton.
Ndeshje shumë e rëndësishme për Leedsin do të jetë ajo ndaj Tottenham. Këta të parët po luftojnë për mbijetesë në elitë, ndërsa Spurs për një vend në Evropë.
Mbijetesën ende nuk e ka siguruar as Leicester City, me “Dhelprat” që këtë xhiro luajnë ndaj West Hamit në “King Power Stadium”. Vendasit synojnë tre pikët që të shpresojnë në mbetje në ligë.
Dy pikë larg zonës së rrezikshme është edhe Evertoni, klub i cili në ndeshjen e fundit do të luajë përballë Bournemouth në “Goodison Park”.
Klubit të drejtuar nga Sean Dyche nuk i kryen punë as barazimi, andaj pritet ndeshje e zjarrtë në qytetin e Liverpoolit.
Të gjitha këto ndeshje zhvillohen të dielën dhe fillojnë nga ora 17:30.