Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Xhiro e fundit në Superligë, Ferizaj e Trepça ’89 ballë për ballë për barazh

Gazeta10
26 May 2023 - 11:37

Në këtë vikend do të luhet xhiro e fundit e Superligës së Kosovës.

Kampioni tashmë dihet. Ballkani fitoi titullin e më të mirit në Superligë për herë të dytë radhazi, gjersa edhe ekipet pjesëmarrëse në garat evropiane janë mësuar, me dy klubet nga qyteti i Gjilanit, Drita dhe Gjilani do të luajnë në kualifikimet e Ligës së Konferencës.

“Portokallinjtë” nga Theranda, Ballkani, do të luajnë ndaj Gjilanit në stadiumin e tyre, ku do të zhvillojnë festën pasi ta pranojnë edhe trofeun e kampionit.

Gjilani tashë ka siguruar vendin e tretë në tabelë, duke siguruar garat evropiane për edicionin e ardhshëm.

Në anën tjetër, Drita do të udhëtojë në Skënderaj për t’u përballur me Drenicën, që tashmë është përshendetur nga Superliga dhe nga sezoni i ardhshëm garat do t’i zhvillojë në Ligën e Parë.

Skuadra e cila xhiron e kaluar siguroi mbijetesën, Malisheva këtë javë pret në “Liman Gegaj” Llapin e Tahir Batatinës. Dy skuadrat synojnë që sezonin ta mbyllin sa më lartë që është e mundur.

Mirëpo, garë interesante do të zhvillohet në pjesën e poshtme të tabelës, me skuadrat si Ferizaj e Trepça ’89 që po luftojnë për një vend në barazh.

Ferizaj pret në stadiumin e tyre skuadrën e Dukagjinit, e cila për momentin ka synim tjetër, sigurimin e vendit të katërt, duke shpresuar për një vend në Evropë sezonin tjetër.

“Ujqit”, të udhëhequr nga trajneri kroat, Panadic, kërkojnë që të sigurojnë barazhin e përmes tij edhe mbijetesën në Superligë edhe për një sezon tjetër.

Ndërkohë, këtë dëshirë ka edhe klubi nga Mitrovica, Trepça ’89, e cila ndeshjen e saj këtë javë e zhvillon në “Riza Lushta”, ku do të sfidohet nga Prishtina.

’89-shi, ashtu si Ferizaj u rikthyen këtë sezon në Superligë, gjersa tash e gjejnë vetën duke luftuar për pozitën e barazhit, duke ditur se njëra nga këto skuadra sezonin tjetër garat i zhvillon një rang më poshtë.

Të gjitha ndeshjet e xhiros së fundit luhen të shtunën dhe fillojnë nga ora 15:00.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.