
Rrjeti evropian mediatik “Euractiv” ka publikuar draftin e propozimit frank-gjerman për Kosovën dhe Serbinë. Propozimi 9 pikësh, parasheh rregullimin e modaliteteve të përgjithshme pa u lëshuar në detaje ndërmjet dy shteteve. Nuk e parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, por i obligon palët të përmbahen nga një sërë çështjesh tjera, përfshirë edhe përmbajtjen nga sulmi dhe mos prekja e kufirit, raporton Gazeta10.
Raporti: Kanal10
Kamera: Kanal10
Liderët e shtetit të Kosovës, fillimisht e kishin mohuar ekzistencën e planit franko-gjerman, që i jepte rrjedhë tjetër procesit të dialogut.
Por, më pas zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, kishte deklaruar se një plan i tillë më shumë i konvenon Serbisë.
Derisa, narracioni për këtë plan mori rrjedhë tjetër, kur foli edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por pa dhënë detaje lidhur me përmbajtjen dhe qëndrimin e Kosovës.
Derisa, palët ende nuk kanë dhënë detaje për përmbajtjen e këtij plani, një draft i këtij dokumenti është publikuar gjatë së mërkurës nga rrjeti evropian mediatik “Euractiv”.
Sipas këtij drafti, propozimi 9 pikësh, parasheh rregullimin e modaliteteve të përgjithshme pa u lëshuar në detaje ndërmjet dy shteteve.
Në të, nuk parashihet njohja e Kosovës nga Serbia, por i obligon palët të përmbahen nga një sërë çështjesh tjera, përfshirë edhe përmbajtjen nga sulmi dhe mos prekja e kufirit.
“Kosova dhe Serbia do të promovojnë marrëdhënie paqësore në Ballkanin Perëndimor dhe do të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal në Evropë”, thuhet në nenin 5 të këtij dokumenti.
Derisa, në nenin 6, thuhet se Kosova dhe Serbia vazhdojnë me respektimin reciprok të juridiksionit të secilës palë.
Neni 8 parasheh, që Kosova dhe Serbia të shkëmbejnë Misionet e Përhershme, ku do të vendoseshin në selinë e Qeverisë përkatëse, derisa në pikën 9, thuhet se Kosova dhe Serbia pajtohen që ky Traktat nuk do të ndikojë në traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe të lidhura tashmë prej tyre ose që kanë të bëjnë me to.
Dokumenti tashmë u është dorëzuar palëve në Prishtinë dhe Beograd, me ç’rast shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, kishte thënë ditë më parë se kanë pranuar përgjigjet e tyre lidhur me këtë propozim.
Por, publikisht asnjëra palë nuk kanë dhënë sqarime nëse e kanë refuzuar apo pranuar një plan të tillë./Gazeta10.