
Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi ka reaguar pasi presidentja Vjosa Osmani shpalli 9 shkurtin, datë të zgjedhjeve të rregullta të Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi përmes një shkrimi në Facebook tha si parti opozitare kishin kërkuar që 26 janari 2025 të jetë data e zgjedhjeve, dhe se kjo shtyerje ishte e panevojshme. Por, që sipas tij, kjo tashmë ka pak rëndësi.
Ai thekson se 9 shkurti është data e cila do të shënojë ikjen e një qeverie të papëregjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, sipas tij, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën.
“Edhe pse si PDK kishim kërkuar që data e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të jetë 26 janari i vitit rë ardhshëm, sot Presidentja e Kosovës ka dekretuar 9 shkurtin 2025 si datë kur qytetarët duhet t’u drejtohen kutive të votimit.
Për ne kjo shtyrje është e panevojshme, por tashmë kjo ka pak rëndësi. Mbi të gjitha, e rëndësishme është se tani kemi një datë, e cila do të shënojë ikjen e një qeverie të papëregjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën.
Siç na e dëshmon edhe historia, me PDK-në dhe Bedriun në timon, Kosova do të rikthehet në rrugën e munguar të zhvillimit, integrimit, partneritetit e miqësisë së mirëfilltë. Është koha që të bëhemi bashkë edhe një herë për Kosovën që e ëndërrojmë të gjithë”, shkroi Krasniqi.
Kujtojmë se me anë të dekretit, e para e shtetit e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për kuvendin e Kosovës.