Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Zhurma e Veriut

Gazeta10
03 January 2023 - 19:59

Raporti: Gresa Bardhecaj / Kanal10

Kjo zhurmë është një thirrje për serbët lokalë që jetojnë në Mitrovicën e Veriut.

Rëndom, kjo zhurmë nënkuptohet edhe si mesazh për qytetarët serbë, e që më pas kthehen në veprime të menjëhershme.

Alarme të tilla janë dëgjuar tash e 20 vjet në pjesën veriore të vendit.

Vendosja e barrikadave që shoqërohet me bllokim të rrugëve është ndër praktikat më të shpeshta të serbëve lokalë, përmes së cilave shprehin pakënaqësitë e tyre.

Përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve kosovare për të shtrirë autoritetin e tyre dhe për të vënë nën kontroll veriun, shpesh janë shndërruar në tragjedi.

Sa herë që Qeveria e Kosovës merr vendime që lidhen me atë pjesë, vijnë kundërpërgjigjet nga komuniteti serb.

Që nga shpallja e pavarësisë, tensionet dhe provokimet e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës kanë qenë në kulmin e tyre.

Djegiet e pikave kufitare Jarinje e Bërnjak, sulmet ndaj policisë kosovare dhe atyre me mision të veçantë në Kosovë, barrikadat e vendosura, rrugët e bllokuara, janë vetëm disa nga ngjarjet më të shpeshta viteve të fundit.

Teksa po tentohej që të sigurohej e të ruhej vendi, dikush u lëndua e dikush e pësoi me jetë në krye të detyrës.

Derisa në vitin 2011, po bëheshin përpjekje që të merreshin nën kontroll pikat kufitare, polici i njësisë speciale Enver Zymberi u qëllua me armë zjarri që i shkaktuan plagë vdekjeprurëse.

Që nga ajo ditë, familjen Zymberi nga Vushtrria e ka kapluar dhimbja.

Paralelisht me dhimbjen, familjarët ndihen edhe krenar me Enver Zymberin.

Djali i tij Sokoli teksa shikon me mall fotografinë e babait, ka thënë se shpreson që një ditë të ndjek modelin e tij.

Derisa situata aktuale është e tensionuar dhe e ngjashme me atë kur iu vra babai, djali i heroit Zymberi ka edhe një mesazh në kohën kur po sulmohen policët që kryejnë detyrën e tyre.

Pas policëve, në vijën e parë të frontit, ishin edhe gazetarët e kameramanët.

Për të sjellë informacionet nga veriu nuk ishte e lehtë, pasi rrugëtimi ishte i gjatë dhe sfidues.

Gazetari Bashmir Xhemaj, i cili ka raportuar vazhdimisht në kohë të trazirave në veri të vendit, ka treguar për peripecitë që kanë hasur për të raportuar nga atje.

Pas gazetarëve, padyshim që ishin edhe kameramanët, ata të cilët mundësuan që përmes video incizimeve të tyre të shfaqeshin pamjet dhe situata nga veriu.

Për gazetarin Xhemaj momenti më kritik ishte raportimi mes të shtënash nga Mitrovica e Veriut në vitin 2011.

Kurse, kameramani Sylejman Kllokoqi, ka ndarë edhe një ngjarje nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Ish-ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Sadri Ferati ka thënë se Mitrovica e Veriut është një sfidë në vete, mirëpo situata është pothuajse e ngjashme.

Edhe në vitin 2022, pjesa veriore është karakterizuar me shumë tensione e trazira mes palës kosovare dhe serbe.

Në tentativë për të larguar targat ilegale serbe, Qeveria e Kosovës filloi zbatimin e vendimit për riregjistrimin e veturave me targa ilegale dhe konvertimin e tyre në RKS, duke u dhënë fillimisht afat dy muaj serbëve lokalë për zëvendësimin e tyre.

Nga vendimi Qeveria nuk u tërhoq, por vetëm e përshkallëzoi atë duke e ndarë atë në tri faza, të shqiptimit të fletëqortimeve, të shqiptimit të gjobave dhe faza e tretë të targave provuese.

Megjithatë, pas aplikimit të fazës së parë, në prag të aplikimit të fazës së dytë, vendimi u refuzua të zbatohet nga policët serbë në veri, për çka këta të fundit edhe dhanë dorëheqje.

Por, dorëheqje nuk dhanë vetëm policët, por të gjithë përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës, duke i lënë pozitat bosh.

Pas shumë tentimeve me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për targat.

Për të zgjidhur situatën në veri, priteshin të mbaheshin edhe zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore.

Derisa po bëheshin përgatitjet për të filluar procesin zgjedhor, filloi kriza tjetër në veri kur serbët lokalë sulmuan zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut.

Pas arrestimit të dyshuarit për këtë sulm, Dejan Pantiq, serbët filluan rezistencën e tyre, duke kundërshtuar arrestimin e tij, duke bllokuar rrugët që të shpijnë në pikat kufitare, e duke vendosur barrikada, të cilat qëndruan nëpër rrugët e pjesës veriore pothuajse tri javë.

Gjatë kësaj periudhe, u sulmuan me mjete të ndryshme ata që qëndruan në vijën e parë të frontit, policët e gazetarët, trupa të EULEX-it dhe KFOR-it.

Pas ndryshimit të masës së paraburgimit në arrest shtëpiak të Dejan Pantiq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbajti një takim me serbët lokal, nga ku edhe u paralajmërua heqja e barrikadave nga rrugët e veriut.

Vetëm pak orë pas këtij takimi, barrikadat filluan të hiqeshin dhe rrugët për në pikat kufitare u liruan.

Zgjidhje problemit të veriut synohet t’i bëhet nga procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat pritet të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2023.

https://youtu.be/yuurKgMGzvM

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.