
Analisti politik Basri Muja, në emisionin “Politiko” të Kanal10, ka komentuar pamjet e ndërhyrjes së policisë ndaj protestuesve në Tiranë, duke kritikuar shoqërimin e tyre në komisariat dhe duke vlerësuar se veprime të tilla mund ta shtojnë pakënaqësinë qytetare.
“Asnjë arsye nuk ekziston për dërgimin e tyre në komisariat, sepse kjo veçse e delegjitimon edhe më shumë këtë aparat të dhunës atje. Jam i sigurt se kjo jo vetëm që i irriton qytetarët, por i zemëron edhe më shumë”, ka deklaruar Muja në “Politiko”.
Sipas tij, pamjet e ndërhyrjes policore mund të shërbejnë si mesazh për qytetarët që ende nuk i janë bashkuar protestës, duke ndikuar në zgjerimin e pakënaqësisë ndaj qeverisjes.
“Pamjet e tilla janë mesazh i qartë për qytetarët që ende nuk i janë bashkuar protestës, sepse me këtë qeveri mundësia për të ecur përpara është e pamundur”, është shprehur ai.
Muja ka kujtuar gjithashtu fillimin e protestës në Shqipëri, duke iu referuar periudhës prej 133 ditësh të protestave paqësore. Ai ka krahasuar atë përvojë me zhvillimet e tri ditëve të fundit, për të cilat tha se janë shoqëruar me dhunë të theksuar.