
Mesfushori Piotr Zielinski mund të konsiderohet futbollist i Interit prej edicionit të ardhshëm.
Mediumet italiane kanë raportuar të premten se polaku tashmë ka arritur marrëveshje me Interin, e cila pritet të bëhet zyrtare brenda këtij muaji.
Zielinski tek Interi do të transferohet në fund të këtij edicioni si lojtar i lirë, pasi kontrata me Napolin i skadon në verë.
Mësohet se Zielinski me Interin do të firmosë kontratë deri në vitin 2027 dhe do të ketë pagë vjetore prej 4.5 milionë eurosh. 29-vjeçari edicionin e shkuar fitoi titullin e kampionit të Italisë me Napolin, ekip për të cilin luan prej vitit 2016.
Këtë edicion, ai ka shënuar tre gola dhe ka bërë po aq asistime në 24 paraqitje në të gjitha garat për Napolin.