
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Fuqizimi i rolit të grave në udhëheqje dhe marrje të vendimeve”, i cili mbulon periudhën 2020–2024.
Rezultatet e auditimit tregojnë se institucionet publike nuk kanë arritur të sigurojnë rritje të kënaqshme të përfaqësimit të grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse.
Sipas raportit të auditimit, gratë përbënin 42 për qind të të punësuarve në shërbimin civil. Megjithatë, nga gjithsej 1,459 pozita drejtuese, 988 mbaheshin nga burrat dhe vetëm 471 nga gratë.
ZKA vlerëson se rritja e pjesëmarrjes së grave në shërbimin civil nuk është reflektuar në të njëjtën masë në pozitat vendimmarrëse. Po ashtu, objektivat për barazi gjinore nuk janë shndërruar mjaftueshëm në masa konkrete dhe të monitorueshme.
Mangësi janë evidentuar edhe në zhvillimin profesional të grave, në mbledhjen dhe raportimin e të dhënave sipas gjinisë dhe në koordinimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se rritja e pjesëmarrjes së grave në shërbimin civil duhet të reflektohet edhe në pozitat vendimmarrëse.
Për përmirësimin e situatës, ZKA ka dhënë gjashtë rekomandime për institucionet përgjegjëse.