
AC Milan janë kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve por sulmuesi legjendar Zlatan Ibrahimovic nuk do të marrë një medalje në rast se “Rossonerët” fitojnë në fund trofeun.
Ibrahimovic gjatë karrierës së tij ka fituar shumë trofe, por Liga e Kampionëve është një trofe që i mungon në rezymenë e tij. Milani e ka siguruar pjesëmarrjen në gjysmëfinale këtë javë pasi fituan me rezultat të përgjithshëm 2-1 ndaj Napoli për të mbajtur gjallë shpresat për fitoren e Ligës së Kampionëve.
Përsëri, edhe nëse Milani përfundon në finalen e Stambollit dhe e fiton atë, Ibrahimovic nuk do të marrë një medalje. Suedezi nuk ishte i përfshirë në listën e lojtarëve për Ligën e Kampionëve në muajin shtator e as në muajin shkurt pasi u rikuperua nga lëndimi në gju.
Kjo do të thotë se ai nuk do të paiset me medalje në rast se Milani fiton këtë trofe për herën e tetë në historinë e tyre.
Milani do të ballafaqohet me rivalin e përbetuar Interin në gjysmëfinale të këtij kompeticioni. “Nerazzurrët” u kualifikuan në këtë fazë pasi mposhtën Benficën me rezultat të përgjithshëm 5-3.
“Rossonerët” janë pjesë e gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve për herë të parë në 16 vitet e fundit.
Ky pritet të jetë sezoni i fundit i Ibrahimovicit me Milanin. Klubi italian nuk do t’ia zgjasë kontratën 41-vjeçarit pas përfundimit të këtij sezoni. Suedezi e ka humbur startin e sezonit për shkak të lëndimit të rëndë që e pësoi, por u kthye në shkurt dhe bëri historinë kur u bë golashënuesi më i vjetër i Serie A pas golit të shënuar ndaj Udineses.