
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kritikuar gjuhën seksiste dhe sulmet me të cilat përballen gratë në politikë, duke theksuar se nuk do të lejojë që fyerjet dhe poshtërimet mbi baza gjinore të trajtohen si pjesë e zakonshme e debatit parlamentar.
Këto deklarata Haxhiu i bëri në Asamblenë e Grave Parlamentare dhe Asambleiste të organizuar nga Grupi i Grave Deputete, në hapje të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, me temën “Të sigurojmë drejtësi, të mbrojmë të mbijetuarat dhe t’i japim fund pandëshkueshmërisë”.
Haxhiu tha se gratë në politikë vazhdojnë të përballen me sulme dhe fyerje që nuk lidhen me qëndrimet e tyre politike, por me pamjen, trupin, moshën dhe jetën private.“Një çështje tjetër që lidhet drejtpërdrejt me pozitën e grave në shoqëri është mënyra se si trajtohen ato në jetën publike, përfshirë këtu edhe gratë në politikë.
Gratë në politikë vazhdojnë të përballen me fyerje e sulme që kanë të bëjnë me pamjen, me trupin e tyre, me moshën apo me jetën e tyre private. Një burrë mund të kritikohet ashpër për qëndrimet e tij politike, ndërsa një grua, krahas qëndrimeve, shpesh gjykohet edhe për të drejtat e saj për të qenë aty”, tha Haxhiu.
Ajo u zotua se gjatë kohës sa do të jetë në krye të Kuvendit nuk do të lejojë që gjuha seksiste të normalizohet në institucionin ligjvënës, duke paralajmëruar ndërhyrje ndaj çdo fyerjeje dhe poshtërimi me bazë gjinore, pa marrë parasysh përkatësinë politike të deputetëve.