Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

ZRRE tregon për humbjet e lejuara të energjisë në katër komunat veriore

Gazeta10
24 November 2026 - 12:14

Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion është shqyrtuar Raporti Vjetor i Punës së Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për vitin 2025, ku të ftuar ishin përfaqësuesit e Bordit të ZRRE-së.

Gjatë diskutimit, kryesuesi i Komisionit, Arben Mustafa nga radhët e PDK-së, ngriti çështjen e humbjeve të lejuara të energjisë në katër komunat veriore, duke kërkuar sqarime për dallimin e përqindjeve me pjesën tjetër të Kosovës.

Ai gjithashtu kërkoi informacione për investimet kapitale të lejuara në këtë pjesë të vendit.

Mustafa kërkoi nga përfaqësuesit e ZRRE-së të tregojnë se sa janë humbjet e lejuara në veri dhe pse ato janë më të larta sesa në komunat e tjera.

“Sa janë humbjet e lejuara në veri, sepse ka një dallim në pjesën tjetër të Kosovës. Për katër komunat veriore paraqitet një përqindje më e lartë e humbjeve të lejuara sesa për komunat e tjera dhe pse është kjo? Dhe tjetra është, sa janë investimet e lejuara kapitale në veri? Cilat i keni aprovuar, sa është vlera e tyre dhe në përqindje?”, pyeti Mustafa.

Në përgjigjen e tij, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, sqaroi se humbjet e lejuara në nivel të përgjithshëm, pa përfshirë ndikimin e katër komunave veriore, janë 13.3 për qind, ndërsa me përfshirjen e tyre kjo përqindje arrin në rreth 14.23 për qind.

Sipas tij, për katër komunat veriore janë lejuar humbje prej 21.5 për qind, por ndikimi i tyre në përqindjen e përgjithshme të Kosovës është rreth 0.9 pikë përqindjeje.

“Është me rëndësi të potencohet që humbjet e lejuara, në bazë të raportit, të të ardhurave të lejuara apo të ardhurave maksimale të lejuara të FSHU-së, janë në nivelin 13.3 për qind. Mirëpo, për shkak se merret parasysh edhe pjesa e veriut të Kosovës, atëherë të ardhurat e lejuara janë në nivelin 14.28 për qind”, deklaroi Gojani.

Ai tutje theksoi dallimin ndërmjet përqindjes së humbjeve të lejuara në pjesën tjetër të Kosovës dhe asaj në katër komunat veriore.

“Por 21.5 për qind është në raport me energjinë në atë pjesë. Nëse e shohim në total, i bie diku afër 0.9 për qind. Domethënë, prej 13.3 për qind që janë të lejuara, për shkak se përfshihet edhe veriu, shkon diku afër 14.3 për qind, që i bie diku mes 0.9 dhe 1 për qind”, tha ai.

Pas kësaj përgjigjeje, Mustafa kërkoi të dijë nëse ekzistojnë matje të sakta dhe të veçanta për nivelin e humbjeve të energjisë në katër komunat veriore.

“Po a ka një matje të saktë veç për veri, veç për katër komunat veriore, sa janë humbjet atje?”, pyeti kryesuesi i Komisionit.

Gojani u përgjigj se ekzistojnë të dhëna për energjinë e pranuar dhe atë të faturuar, duke bërë të ditur se gjatë vitit 2025 në katër komunat veriore janë konsumuar rreth 275 gigavat-orë (GWh) energji elektrike, ndërsa janë faturuar vetëm 169 GWh.

Ai tha se diferenca përfshin si humbjet teknike, ashtu edhe ato komerciale.

“Ka matje në kuptim të energjisë e cila pranohet dhe të energjisë që faturohet. Ne e cekëm edhe në përmbledhje që diku nga 275 GËh që janë konsumuar në vitin 2025, janë faturuar 169 GËh, që i bie diku rreth 39 për qind e energjisë e cila nuk është faturuar dhe e cila është humbje. Por aty përfshihen edhe humbjet teknike, edhe humbjet komerciale”, deklaroi Gojani.

Ai theksoi se këto të dhëna i referohen vitit 2025, ndërsa shprehu pritjen se situata mund të ndryshojë gjatë vitit 2026, pas instalimit të njehsorëve inteligjentë në katër komunat veriore.

Sipas tij, përmes një projekti të KEDS-it, të financuar nga Bashkimi Evropian, janë instaluar afërsisht 25 mijë njehsorë inteligjentë.

“Ka qenë një projekt i KEDS-it, në bashkëpunim dhe i financuar prej BE-së, për instalimin e njehsorëve inteligjentë. Afërsisht 25 mijë njehsorë janë instaluar. Dhe unë jam i bindur që në vitin 2026 pasqyra në raport me energjinë që faturohet, domethënë të humbjeve, do të jetë krejtësisht ndryshe”, u shpreh ai.

Gojani foli edhe për ndryshimin e konsumit të energjisë në katër komunat veriore ndër vite, duke krahasuar periudhën para fillimit të faturimit me atë pas fillimit të faturimit nga furnizuesi i licencuar.

Ai bëri të ditur se në vitin 2021, kur energjia elektrike në këto komuna nuk faturohej, konsumi kishte arritur në 372 GWh, ndërsa në vitin 2025 kishte rënë në 275 GWh.

Sipas tij, kjo paraqet një reduktim prej rreth 100 GWh.

“Është mirë ndoshta të potencohet edhe në fillim se, nëse e marrim vitin 2021, energjia në katër komunat veriore, kur nuk është faturuar, konsumi ka arritur nivelin më të lartë, në 372 GWh. Është fjala për vitin 2021. Ndërsa, me fillimin e faturimit nga furnizuesi i licencuar, konsumi ka rënë në 275 GWh. Domethënë, bëhet fjalë për reduktim të konsumit në vlerën e 100 GWh”, deklaroi Gojani.

Gojani bëri të ditur se tarifa për kyçje dhe shkyçje do të jetë 24 euro. Megjithatë, kjo tarifë u kundërshtua nga deputeti Kërçeli, i cili e vlerësoi si të padrejtë dhe kërkoi që çmimet të bazohen në ato të vendeve të rajonit.

“Një konsumatori i është ndërprerë energjia elektrike për shkak se nuk ka pasur mundësi t’i paguajë 20 euro. Ai nuk ka mundur t’i paguajë as 25 euro, ndërsa ne shkojmë dhe ia ngarkojmë edhe 34 euro për shkyçje dhe kyçje. Mendoj se kjo nuk është e drejtë. Duhet të bazohemi në çmimet e rajonit dhe të kursejmë xhepin e qytetarit”, deklaroi deputeti.

Në përgjigje të këtij kundërshtimi, Gojani sqaroi se të hyrat e realizuara nga shkyçjet dhe rikyçjet i zbriten operatorit në fund të periudhës përkatëse dhe i kthehen konsumatorëve.

“Çdo e ardhur që realizohet nga shkyçjet dhe rikyçjet i zbritet operatorit në fund dhe i kthehet konsumatorit. Çdo e ardhur e parregulluar i kthehet qytetarit”, tha Gojani.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.