Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Zulfaj kërkon mbështetjen e Hungarisë për statusin kandidat të Kosovës në BE

Gazeta10
09 October 2026 - 15:05

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, po qëndron për vizitë në Budapest, ku ka kërkuar mbështetjen aktive të Hungarisë që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim në BE.

Sipas njoftimit zyrtar, Zulfaj e ka nisur vizitën me një takim me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, László György Velkey.

Gjatë takimit, kryenegociatori kosovar e ka falënderuar Hungarinë për kontributin në paqen dhe sigurinë e Kosovës përmes misionit të NATO-s, KFOR.

“Hungaria është kontribuuesi i madh i misionit”, ka deklaruar Zulfaj.

Ai ka vlerësuar gjithashtu programin e bursave “Stipendium Hungaricum”, përmes të cilit qindra studentë nga Kosova kanë studiuar në universitetet hungareze.

Në fokus të takimit ishte procesi i integrimit evropian të Kosovës, në prag të publikimit të Pakos së Zgjerimit nga Komisioni Evropian, që pritet në fund të tetorit.

Zulfaj ka kërkuar mbështetjen aktive të Hungarisë që Kosova të fitojë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai ka theksuar se procesi i zgjerimit duhet të bazohet në merita, duke filluar nga respektimi i vlerave themelore të BE-së dhe përafrimi me politikën e jashtme të saj.

Sipas Zulfajt, Kosova i përmbush këto vlera përmes demokracisë, lirisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Në fund, kryenegociatori ka falënderuar Hungarinë për mbështetjen dhe ka përshëndetur rolin e saj në grupin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, duke kërkuar përkrahjen e Budapestit në hapat e ardhshëm të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.