
Graham Potter është shkarkuar nga detyra e trajnerit të Chelseat.
Këtë e bëri të ditur klubi londinez përmes një komunikate zyrtare në rrjetet sociale.
“Klubi njofton se Graham Potter është larguar nga posti i trajnerit. Graham ka rënë dakord të bashkëpunojë me klubin për të lehtësuar një tranzicion të qetë. Gjatë kohës së tij në klub, Graham na ka dërguar në qerekfinale të Ligës së Kampionëve, ku do të përballemi me Real Madridin. Chelsea dëshiron të falenderojë Graham për punën dhe kontributin e tij dhe i dëshiron atij të gjitha të mirat për të ardhmen.”, thuhet në deklaratën e Chelsea-t.
Graham Potter erdhi tek “Blutë e Londrës” me 8 shtator të vitit të kaluar nga ekipi i Brighton.
Ai udhëhoqi Chelsean në 31 ndeshje, ku fitoi 12 prej tyre, humbi 11 sosh, dhe barazoi në 8 të tjera.
Shkarkimi i tij erdhi pas rezultateve të dobëta në ligë, me humbjen e fundit ndaj Aston Villës e cila ishte ajo që shtyu drejtuesit e klubit që ta shkarkojnë 47-vjeçarin.
Momentalisht, në krye të klubit është Bruno Saltor si trajner i përkohshëm deri sa të bëhet një zgjedhje permanente.
Sipas raportimeve të fundit, Julian Naglesmann është kandidati kryesorë për të marrë timonin e Chelseat, pa përjashtuar edhe opsione tjera si Luis Enrique e Mauricio Pochettino.