
Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj është duke raportuar para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes për gjendjen e Ministrisë së Mbrojtjes, dhe situatën brenda FSK-së.
Zyrtarja e FSK-së ka treguar se gjatë këtij viti nga FSK janë larguar 127 ushtarë, pa përfshirë këtu ushtarët që kanë dalë në pensionim, raporton Gazeta10.
Lidhur me këtë ka reaguar anëtari i këtij komisioni nga PDK, Rashit Qalaj duke thënë se çështja e pagës ka qenë kryesorja ajo që ka larguar ushtarët nga FSK-ja.
“Sfidat nuk janë të pakta. Gjatë këtij viti kemi pasur një brengë të gjithë anëtarët e komisionit për largimin e pjesëtareve të FSK-së dhe Policisë së Kosovës. E di që në baza mujore përafërsisht 16 janë larguar nga FSK dhe ndër arsyet kryesore ka qenë çështja e pagave”, ka thënë Qalaj.
Qalaj ka thënë se kanë parë koeficientet për ushtarët me ligjin e ri të pagave, derisa ka pyetur ministrin Mehaj se a do të ndikoj kjo në mos largimin e ushtarëve të FSK-së.
Mehaj iu përgjigj duke thënë se “kemi shikuar sesi të rriten më shumë pagat për pjesëtarët dhe më së paku për oficerët më lartë”.
Anëtari i këtij komisioni nga LDK, deputeti Anton Quni ka thënë se largimi i 127 ushtarëve është alarmues.
“Është numër alarmues largimi i 127 pjesëtareve nga FSK. Nuk dua ta fajësoj ministrinë, por duhet të jetë shqetësim i joni i përbashkët dhe duhet të punojmë së bashku që të identifikojmë arsyet e largimit të tyre”, ka thënë Quni/Gazeta10