Lajme

Tekniku i Radiologjisë tregon se si asistoi gjatë ekzaminimit të tani të ndjerës dhe a kishte licencë valide të punës

Gazeta10
30 Shtator 2024 - 16:14

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tekniku i Radiologjisë, Muhamet Berisha, i cili u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit, deklaroi se tani të ndjerës T.H., i ishte ofruar ndihma e parë.

Në këtë rast, mjekët Alban Gjonbalaj dhe Arben Kutllovci po akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Ata ngarkohen se duke përdorur mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit, ka ardhur deri te vdekja e pacientes, tani të ndjerës T.H., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, gjatë ekzaminimit të tani të ndjerës nuk ishte prezent mjeku specialist i Radiologjisë por në vend të tij ishte tekniku i Radiologjisë, Muhamet Berisha, pa licencë valide të punës.

E dëshmitari Berisha tha se atëkohë kishte aplikuar për licencë por për shkak të situatës me pandeminë, procedurat administrative ishin shumë të vonuara.

Berisha deklaroi se gjatë monitorimit kanë vërejtur që tani të ndjerës T.H., i ishte përkeqësuar gjendja klinike.

“Doktori është afru i pari, ka hy në dhomën e ekzaminimit. I ka dhënë ndihmën e parë, i ka dhënë oksigjen përmes frymëmarrjes artificiale gojë në gojë. Unë i jam afru doktorit dhe më është kërkuar që t’i bëjë masazh me duar”, tha dëshmitari Berisha.

I pyetur nga prokurorja Ardiana Veseli se a ishte i vetëdijshëm për rreziqet dhe komplikimet e mundshme, Berisha tha se kishte qenë i vetëdijshëm, por se ka qenë nën monitorimin e anesteziologut Gjonbalaj.

Gjatë dhënies së dëshmisë, dëshmitari Berisha kërkoi disa herë t’i përsëritet deklarata e tij, pasi që tha se ndihet nën presion.

“Jam nën presion shumë. Në këso situate nuk kam qenë asnjëherë… Nuk është një situatë që mundem m’u shpreh lirshëm”, deklaroi dëshmitari Berisha.

Gjatë ekzaminimit të tani të ndjerës, Berisha tha se tani i akuzuari Gjonbalaj kishte hyrë disa herë në dhomën e ekzaminimit dhe se një gjë e tillë nuk është e ndaluar.

Dëshmitari tha se ai përpos pjesës kur i është keqësuar gjendja pacientes dhe kur është zgjuar nga anestezioni, nuk ka hyrë në dhomën e ekzaminimit, pasi që ishte duke bërë incizim.

Gjithashtu, Berisha shtoi se në momentin e përkeqësimit të gjendjes së pacientes, mënjëherë recepsionistja e ordinancës ka lajmëruar ndihmën e shpejtë.

Sipas tij, me sa i kujtohet pacientja në momentin kur është zgjuar nga anestezioni ka lëvizur dorën dhe kokën, ndërsa shtoi se i akuzuari Arben Kutllovci i kishte dhënë oksigjen.Lidhur me këtë deklartaë- i dëmtuari A.H (babi i të ndjerës), pati kundërshtime, pasi që sipas tij, i akuzuari Kutllovci nuk i ka bërë asnjë kontrollë të ndjerës.

“Pretendimet e tij sa ka ardhë doktor Arbeni dhe se i ka ofruar ndihmë vajzës time nuk qëndron, ai ka ardhë shumë pak kohë para se me ardhë ambulanca. Unë me sa e kam pa, ai nuk ka bërë asnjë kontroll vajzës time, thjesht ju ka afruar asgjë më shumë”, tha i dëmtuari A.H.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 31 janar 2023, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Alban Gjonbalaj dhe Arben Kutllovci, gjatë punës së tyre si mjekë, me rastin e dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor, nuk i kanë zbatuar rregullat e profesionit të kujdesit shëndetësor duke vepruar haptazi në mënyrë të pakujdesshme, duke përdorur mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit, ku si rezultat i këtyre veprimeve, ka ardhur deri te vdekja e pacientes, tani të ndjerës T.H.

Në aktakuzë thuhet se më 4 tetor 2020, gjatë trajtimit mjekësor, kryerjes së rezonancës magnetike për pacienten, tani të ndjerën T.H., i pandehuri Arben Kutllovci është dakorduar me të dëmtuarën – dëshmitaren Lutfije Haxhiu që më 4 tetor 2020 të kryhet rezonanca magnetike për vajzën e saj. Mirëpo, paraprakisht me rastin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore ka pranuar dhe udhëzuar ekzaminimin e “MRI ALL Body”, në kundërshtim më praktikat dhe legjislacionin në fuqi, duke kryer një intervenim të tillë pa qenë i pajisur me udhëzimin për ekzaminim si dhe nuk ka bërë evidentimin e personelit mjekësor dhe dokumentacionit shëndetësor dhe dokumentacionit shëndetësor.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Alban Gjonbalaj më 4 tetor 2020, rreth orës 9:15 në ambientin e Klinikës “CT SCANER” (Institucion Privat Shëndetësor), me rastin e ofrimeve shëndetësore, ka vlerësuar në mënyrë joprofesionale gjendjen e pacientes tani të ndjerës T.H, duke mos bërë matjen e peshës trupore.

Aty thuhet se ekzaminimi i të ndjerës është bërë pa udhëzime mjekësore si dhe incizimi i rezonancës magnetike të tërë trupit të pacientes është bërë pa prezencën e mjekut specialist të Radiologjisë, por në vend të mjekut ka qenë prezent Muhamet Berisha – Teknik i Radiologjisë pa licencë valide të punës.

Sipas aktakuzës, si pasojë e mostrajtimit të duhur nga specialistët përkatës, ku i pandehuri Gjonbalaj ia ka dhënë dozën e parë të anestezionit pacientes, ku pas 10 -15 minutash të njëjtës i është dhënë edhe doza e dytë, kështu duke iu përkeqësuar gjendja gjatë procedurës së “MRI”.

Dhe pas përkeqësimit përkundër të ndihmës së parë dhe dërgimit në urgjencën e QKUK-së, pacientja kishte ndërruar jetë.

Për këto veprime të kryer nga secili veç e veç, të lartcekurit ngarkohen për veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 254 par. 8 lidhur me par.4 lidhur me par.1 të KPRK-së.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.