Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

27 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut

Gazeta10
21 May 2026 - 8:16

Sot bëhen 27 vjet nga vrasja dhe masakrimi i 13 qytetarëve të pafajshëm në fshatin Stagovë të Kaçanikut.

Më 21 maj të vitit 1999 u vranë mizorisht 13 qytetarë të Kosovës nga forcat terroriste të regjimit të Millosheviqit duke mos e kursyer as fëmijën 7 vjeçar Fitim Gudaqi. Po ashtu në këtë ditë ranë martirë: Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi. Në këtë ditë në mbrojtje të civilëve ra dëshmori Ekrem Gudaqi.

Masakra e Stagovës është në mesin e 15 masakrave më të tmerrshme që ndodhura në Kosovë dhe që për të ish-liderët e regjimit kriminal të Serbisë në krye me kriminelin Sllobodan Millosheviq u akuzuan nga Gjykata për Krime lufte në Ish-Jugosllavi për krime lufte me seli në Hagë, por që askush nuk u dënua për këtë krim makabër!.

Për Masakrën e Stagovës, ekipi i Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, në autopsinë e 10 trupave të vrarë ka konstatuar vrasjet e tyre dhe se ky rast u hetua në kuadër të hetimeve për krime të luftës në Kosovë, të kryera nga njësitë ushtarake policore të Serbisë.

21 maji 1999 pos që solli dhimbje për banorët e Stagovës, kjo datë do të mbahet në mend edhe për shkatërrimet, djegiet dhe vrasjen e bagëtive.

Nga 180 shtëpi sa kishte ky fshat më 20 maj, të nesërmen paramilitarët serbë dogjën dhe shkatërruan mbi 50 për qind të tyre.

Pra këto fakte flasin qartësisht për qëllimet e regjimit serbë të Millosheviçit, që ishte jo vetëm zhdukja fizike, por edhe ajo materiale e qenies shqiptare, që përkufizohet si qëllim gjenocidal ndaj një kombi në këtë rast shqiptarëve të Kosovës.

Me rastin e 27 vjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve të rënë, këshillat Organizues të fshatrave Runjevë dhe Stagovë, në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe me përkrahjen e Komunës së Kaçanikut, organizojnë manifestime Përkujtimore.

Manifestimi mbahet në Stagovë në Shkollën Fillore ” Agim Bajrami” me fillim nga ora: 14:00.

Pas përmbylljes së manifestimeve do të bëhen homazhe në Kompleksin Memorial te Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.