
Presidenca e Kosovës i ka reaguar sërish ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, e cila ka thënë se për dërgimin e letrës në Këshillin e Evropës ishin koordinuar të gjitha institucionet e Kosovës.
Këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina ka thënë se konkretizimi i zotimeve të 22 marsit 2024 do të ndodh vetëm pas pajtimit në mes të tre krerëve të institucioneve, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur.
Sipas Kupinës, veprime të tilla janë kundër frymës së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nuk e ndihmojnë Kosovën, raporton Gazeta10.
“Prandaj në mënyrë që Kosova të ecë suksesshëm drejt KiE, është me rëndësi që veprimet shtetërore të koordinohen paraprakisht edhe brenda institucioneve, por edhe me aleatët të cilët po e përkrahin anëtarësimin e Kosovës. Siç e potencova edhe më herët, Presidentja po vazhdon angazhimin që sa më parë të mbahet një seancë për anëtarësim të Kosovës në KiE”, tha ai./Gazeta10