
Kryesuesja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga PDK-ja që ta tërheqë propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Haxhiu kritikoi mënyrën se si, sipas saj, po trajtohet kjo çështje, duke thënë se situata aktuale dhe emocionet e qytetarëve që po protestojnë jashtë Kuvendit nuk duhet të përdoren për të shtyrë përpara propozime të tilla.
Ajo tha se mbrojtja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është çështje ekskluzive e një partie politike.
“S’keni nevojë me pas pronësi mbi UÇK-në. UÇK-në nuk mund ta mbrojë vetëm PDK-ja, UÇK-ja është e popullit. Prandaj ju lutem që të tërhiqeni nga ky propozim”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se, për shkak të respektit, ia kishte dhënë fjalën deputetit të PDK-së, Arian Tahiri, që ta paraqiste qëndrimin e kësaj partie.
Në fund, Haxhiu u shpreh optimiste se partitë politike mund të gjejnë një zgjidhje për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës./Gazeta10