
Numri i kërkesave për lirim me kusht në vitin 2021 ka qenë mbi 700 dhe vetëm 29 për qind e tyre janë aprovuar. Ankesat më të shpeshta të të burgosurve janë se vendimet po refuzohen pa arsye. Këto ankesa janë evidentuar edhe në raportin monitorues të misionit të EULEX-it për aplikimin e lirimit me kusht në Kosovë. Në prezantimin e këtij raporti u tha se dënimi nuk çon domosdoshmërisht në rehabilitim, derisa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi se kanë vlerësuar që të ankimohen vendimet e panelit e lirimit me kusht.
Misioni i EULEX-it në Kosovë, ka lansuar të enjten raportin i cili përmbledh monitorimin e aplikimit për lirimin me kusht në Kosovë.
Shefi i misionit, Lars-Gunnar Wigemark, tha se ky raport mbulon periudhën prej muajit mars 2022 deri në shtator të këtij viti.
Wigermark ka përmendur të miturit dhe gratë, për të çka tha se duhet të shfrytëzohet në masë të madhe lirimi me kusht.
“Qëllimi i këtij raporti është që të ofrojmë një pasqyrë të gjendjes aktuale të lirimit me kusht në Kosovë. Të analizojë zbatimin e tij në praktikë dhe të sugjerojë fusha të mundshme për përmirësim. Një fushë dhe kjo e para lidhet me shkelësit e mitur, shkelësit e ri. Në rastet e tilla, lirimi me kusht duhet të përdoret në masën më të madhe të mundshme, sipas mendimit tonë dhe tu jepet në kohën më të hershme të mundshme. Kjo natyrisht se do të minimizonte efektet negative të burgosjes për rrezikun e recidivizmit nga të rinjtë. Fusha e dytë prioritare, sipas mendimit tonë, duhet të jenë gratë e burgosura. Nevojën për të integruar një perspektivë gjinore në zbatimin e kësaj mase dhe të merret parasysh nevojat e tyre specifike për riintegrim”, tha ai.
Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se dënimi me burgim nuk duhet të jetë masa e vetme për siguri publike dhe parandalimin e krimit.
Shefja e njësisë korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski, tha se për këtë raport janë kryer vizita monitoruese në gjashtë institucione të Shërbimit Korrektues.
Ajo shtoi se para lirimit me kusht, të burgosurit duhet të plotësojnë disa kritere.
“Gjatë vizitave fillestare, EULEX-i intervistoi edhe stafin e përfshirë në këtë proces, kryesisht punëtorët social dhe zyrtarë ligjor në mënyrë që të merr ose të fitojë një pasqyrë të përgjithshme të statusit të lirimit me kusht. Gjithashtu, njësia korrektuese ka kërkuar që institucionet korrektuese të japin numrin e kërkesave për lirim me kusht, nga viti 2021 dhe rezultatin apo epilogun e tyre. Numri i përgjithshëm i kërkesave për atë vit, arrinte në 705, nga të cilat 29 për qind u miratuan, kurse 71 për qind u refuzuan”.
Zëvendësuesi i drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, u zotua se vlerësimi për lirim me kusht tashmë do të bëhet në afërsi me të dënuarit. /Gazeta10/