
Xhudistja nga Mitrovica, Laura Fazliu është ranguar në mesin e 10 xhudisteve më të mira në kategorinë deri në 63 kilogramë nga Federata Botërore e Xhudos.
Në ranglistën e re të publikuar nga kjo federatë, Fazliu renditet në pozitën e nëntë në kategorinë ku ajo garon.
Kjo është hera e parë që xhudistja 22-vjeçare bën pjesë në Top 10-shën e ranglistës botërore.
Laura të shtunën fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Tbilisit, për të cilin sukses i takuan 700 pikë në ranglistë. Ajo pati ditë të madhe deri në finale.
Rrugës e mposhti kampionen në fuqi të Evropës, britaniken Gemma Hoëell, dhe bartësen e tretë, Katharina Haecker.
Në finale, Laura përballë e kishte bartësen e parë, britaniken tjetër, Lucy Renshall. Ndaj saj zhvilloi luftë të fortë dhe plotësisht të barabartë. Kërkoi vazhdimisht hedhjet, njëjtë si britanikja, ndërsa gjyqtarët i dhanë dënimin e tretë në kohën shtesë.
Për Laurën medalja e së shtunës ishte e dyta e madhe këtë vit.
Në Grand Slamin në Tel-Aviv ishte renditur e treta.