
Një ditë pasi që në Zubin Potok ishin djegur dy vetura, të premten u është vënë flaka edhe tri veturave të tjera. Ato janë djegur pasi që qytetarët nga komuniteti serb i kishin regjistruar veturat me tabela RKS. Djegien e tyre e kanë dënuar zyrtarë të Bashkimit Evropian, duke theksuar se veprimet e tilla për frikësimin e popullatës janë të papranueshme. Këto djegie të veturave po konsiderohen si frikësim për qytetarët që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore.
Për vetëm dy ditë, pesë veturave u është vënë flaka në veri të vendit, pas vendosjes së tabelave të Republikës së Kosovës.
Pas djegies së dy veturave mesnatën e së enjtes në Zubin Potok, Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe tri vetura të tjera janë djegur të premten, dy në veri të Mitrovicës dhe njëra në Zveçan.
Sipas Policisë, veturat kanë qenë të qytetarëve serbë dhe se autorët e këtij akti ende nuk janë identifikuar.
“Më 31 mars 2023 pas mesnatës, në veri të vendit është raportuar se nga persona të panjohur janë djegur edhe tri vetura që iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, të cilat kanë qenë të parkuara njëra në rrugën “Kral Milutin”- Zveçan, tjetra në rrugën “Ivo Lola Ribar”- Mitrovicë Veri, si dhe e treta në rrugën “Vlade Çetkoviq”- Mitrovicë Veri.”
Policia ka njoftuar se janë angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Djegien e këtyre veturave e kanë dënuar zyrtarë të Bashkimit Evropian.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka theksuar se veprimet e tilla për frikësimin e popullatës janë të papranueshme.
“E dënoj fuqishëm djegien e veturave të riregjistruara së fundmi me targa RKS në veri të Kosovës. Shkatërrimi i pronës private që ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale është për të ardhur keq, i papranueshëm dhe duhet të dënohet nga të gjithë akterët përkatës.”
Szunyog u ka bërë thirrje agjencive të zbatimit të ligjit që të identifikojnë dhe ndjekin me shpejtësi përgjegjësit.
Ndërkohë, zëdhënës i BE-së, Peter Stano ka thënë se marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për targat e makinave në nëntor të vitit të kaluar, nuk ka afate kohore apo afat skadimi.
Në një përgjigje me shkrim për media, Stano ka përsëritur se i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i ka ftuar kryenegociatorët për një takim në Bruksel më 4 prill.
“Ndërkohë, BE-ja pret që të dyja palët të vazhdojnë të kontribuojnë në atmosferën për normalizim, pajtim dhe zbatim të shpejtë të obligimeve. Po ashtu, palët janë zotuar që të përmbahen nga veprimet që do të shkonin në drejtim të kundërt”
E për djegien e veturave ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai ka thënë se incidentet e 2-3 ditëve të fundit në veri, janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri, me pasoja edhe për sigurinë në atë zonë.
Refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje, sipas Haradinaj shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel.
“Serbia dhe Kosova duhet që urgjentisht të fillojnë me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit. Presidenti i Serbisë të heqë dorë nga destruktiviteti dhe t’i urdhërojë njerëzit e tij që të heqin dorë nga sulmet e dhunshme. Njëkohësisht, kërkoj nga BE dhe ShBA që të shfrytëzojnë gjithë mekanizmat e tyre që ta mbrojnë suksesin e arritur me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi.”
Që kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që targat ilegale serbe të kthehen në RKS, janë djegur rreth 15 vetura të qytetarëve që kishin vendosur të zbatonin një vendim të tillë të institucioneve të vendit.
Ndërkohë, zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe janë caktuar të mbahen më 23 prill, pasi për shkak të situatës, ishin shtyrë më 25 dhjetor, në të cilat Lista Serbe ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë. /Gazeta10/