
Ishte 24 vjeç kur Sherife Luta bashkë me mijëra shqiptarë të Kosovës u dëbuan me dhunë nga forcat paramilitare serbe për në Shqipëri e Maqedoni.
Në kolonat e gjata të shqiptarëve që i’a kishin mësyer Bllacës, ishte Sherifja bashkë me vazjën e saj 6 muajshe që kishte bërë 24 orë rrugë pa u ndalur për të arritur në kufirin Kosovë-Maqedoni.
Luta për Info10 në Kanal10 ka treguar momentin e shkrepjes së fotografisë më të përhapur të luftës nga fotografi boshnjak me të arritur në Bllacë.
“E kujtojë me vështërësi. Forcat serbe na dëbuan me forcë nga shtëpitë tona. Vajza aso kohe ka qenë 6 muajshe. Kemi ecë 24 orë hiç pa ndërprerë me vazjën në gji, pa hangër e pa pi se s’kemi pasë. Refugjatë ka pasë afër 400 mijë. Kur kemi qenë afër Bllacës, aty kameramani boshnjak e ka shkrepë fotografinë time.”, rrëfen Sherifja.
Ajo ka treguar se vetëm pas luftës kishte kuptuar që fotografia e saj ishte bërë imazh i eksodit kosovar.
‘S’kemi pasë kohë me mendu. Kemi mendu veç qysh me shpëtu jetën. Pas luftës, e kam marrë vesh për fotografinë që e kanë shkrepë. Unë jam në fotografi me vajzën në gji, e lodhur me gjithë atë mund, edhe s’jam dorëzuar. Jo vetëm unë, por të gjitha nanat shqiptare”, tregoi tutje Luta për Kanal10./Gazeta10