
Mbrëmë vonë, gazetari dhe analisti, Valon Syla është sulmuar nga tre persona, për pasojë, Syla ka pësuar lëndime të lehta në kokë.
Në lidhje me rastin, në raportin e Policisë të dërguar sot thuhet se rasti ka ndodhur në rrugën Rr. “Ilir Durmishi” ku viktima mashkull kosovar me profesion gazetar, ka raportuar se tre të dyshuar deri më tani të pa njohur e kanë sulmuar fizikisht me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore, raporton Gazeta10.
“Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore”, thuhet në raportin e Policë.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit. Rasti në procedurë hetimore nga njësitë relevante policore”, thuhet tutje në raporton e PK.
Në media është publikuar një video ku Syla flet pas intervenimit që kishte në QKUK.
“Disa islamik fanatik më kanë sulmuar shpejt e shpejt ka ndodh dhe kanë ik”, ka thënë Syla
Edhe sipas dëshmitarëve të pranishëm, në momentin e sulmit kanë qenë tre persona që kanë ikur me shpejtësi ndërsa ngjarja ka ndodhur në Breg të Diellit.
Syla, i cili ishte pjesë e një emisioni televiziv në një debat që kishte lidhje me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, është sulmuar pak minuta pasi që ka dalë nga studioja.
Tre persona e kanë përcjell Sylën deri te Bregu i Diellit e më pas e kanë sulmuar. /Gazeta10/