
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar pas dënimeve të shqiptuara ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, duke rrëfyer një bisedë që kishte me nënën e tij.
Në një postim në rrjetet sociale, Dugolli ka treguar se gjatë vizitës tek nëna e tij, ajo i kishte shprehur dhimbjen për dënimet e shqiptuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Kam qarë me lot kur i dëgjova ato dënime o bir. M’u dhimbsën shumë ata dhe familjet e tyre”, ka shkruar Dugolli, duke cituar nënën e tij.
Ai ka treguar se e kishte qetësuar duke i thënë se procesi ende nuk ka përfunduar dhe se mbetet edhe mundësia e apelimit.
Sipas Dugollit, nëna e tij më pas i kishte thënë: “Ishalla, o bir… Serbia na ka shumë borxh!”
Dugolli ka shkruar se nuk kishte dashur t’ia rëndonte më tej gjendjen, duke mos i treguar se, sipas tij, Gjykata Speciale ishte votuar edhe nga deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Në fund të reagimit, Dugolli e ka përshkruar rrëfimin e nënës si një pasqyrim të dhimbjes, kujtesës dhe shpresës së shumë familjeve shqiptare.
“Loti i nënës nuk është vetëm lot dhimbjeje. Është edhe lot kujtese. Është lot shprese”, ka shkruar ai.