
Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku ka fituar medaljen e bronztë në turneun “Çesme” që po mbahet në Turqi.
Sadiku në gjysmëfinale të këtij kompeticioni u mposht nga boksierja turke, Gizem Ozer dhe këtu përfundoi aventura e saj në këtë turne.
Boksierja 23-vjeçare gjatë ditës së mërkurë kishte triumfuar në çerekfinale ndaj japonezes, Ayava Taguchi me rezultat bindës 5-0 dhe me këtë triumf ajo siguroi medaljen e bronztë në këtë turne.
23-vjeçarja deri më tani në karrierën e saj ka fituar medaljen e bronztë në kampionatin Europian dhe atë Botëror.
Gjatë këtij viti, boksieres Sadiku iu mohua pjesëmarrja në Kampionatin Botëror të boksit që u mbajt në Indi, pasi ky shtet nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk e lejoi atë të merrte pjesë më simbolet shtetërore të vendit tonë.
Donjeta Sadiku gjatë këtij viti pritet të marrë pjesë edhe në Lojërat Olimpike Evropiane, të cilat do të zhvillohen nga 21 qershori deri më 2 korrik.