
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka përkujtuar Masakrën e Studimes së Vushtrrisë, duke thënë se 24 vjet më parë, 116 civilë të pafajshëm dhe të paarmatosur u vranë dhe u masakruan nga policia dhe ushtria serbe.
“Paramilitarët serbë nuk kursyen as fëmijët dhe të moshuarit – në planin e tyre për realizimin e gjenocidit në Kosovë”, është shprehur ai.
Po ashtu, Krasniqi ka thënë se për familjet e viktimave, për ne si qytetarë të Kosovës, për vendin tonë – një gjë është e sigurt: “këto krime nuk do të vjetrohen kurrë dhe ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi”
Masakra e Studimes, krahas mbi 400 masakrave të tjera të realizuara në të gjithë Kosovën, Krasniqi ka thënë se janë dëshmitë më të fuqishme mbi atë se kush ishte agresori e kush viktima gjatë luftës së vitit 1998/99.
“Përkundër kësaj, edhe sot, 24 vite më pas, asnjë nga kriminelët serbë, ekzekutor apo urdhërdhënës, nuk ka dalë para drejtësisë vendore apo ndërkombëtare për të dhënë përgjegjësi për krimet e kryera”, ka shkruar tutje ai në rrjetin social, Facebook.