
Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar sot raportin për Kosovën dhe amendamentet e paraqitura nga deputetët për këtë raport.
Eurodeputetët mirëpresin aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe përfundimin e marrëveshjes së shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Duke përgëzuar arritjet e Kosovës në reformat që kanë të bëjnë me BE-në, siç është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ata theksojnë se ritmi i procesit të anëtarësimit do të varet nga përparimi në sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe përmirësimet në rendin juridik të vendit, thuhet në komunikatën e PE-së.
Eurodeputetët shprehin keqardhje për faktin se iniciativat për përfshirjen e komunitetit serb në strukturat politike, sociale dhe ekonomike të Kosovës mbeten shumë të kufizuara dhe i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të kapërcejnë ndarjet ndërkomunale.
Raporti për Kosovën u miratua me 452 vota pro, 87 kundër dhe 76 abstenime.
Raportuesja për Kosovën Viola von Cramon-Taubadel (Të Gjelbrit, Gjermani) tha: “Më në fund jemi të lumtur të konfirmojmë se liberalizimi i vizave i shumëpritur do t’u jepet të gjithë qytetarëve të Kosovës që nga 1 janari 2024. Raporti gjithashtu kërkon qartë që zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve relevante në Dialogun Serbi-Kosovë, duke përfshirë themelimin e Komunitetit/Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Unë sinqerisht shpresoj se Marrëveshja e Ohrit do të sjellë përfitime për Kosovën dhe do të kontribuojë në një normalizim të mëtejshëm të marrëdhënieve me Serbinë.