
Kryetari i ri i komunës së Zubin Potokut nga PDK-ja Izmir Zeqiri është shprehur i gatshëm për betimin dhe konstituimin e kuvendin komunal i cili pritet të bëhet sipas tij, javën e ardhshme.
Zeqiri në Prime Time në Kanal10 tha se aktualisht janë duke i harmonizuar qëndrimet me kryetarët tjerë të rinjë dhe Ministrin e Pushtetit Lokal, Elber Krasniqin, shkruan Gazeta10.
Pa pranuar të jap detaje shtesë, ai tha se vendi ku do të bëhet betimi dhe konstituimi i kuvendit komunal do të jetë përmes një vendimi shtetëror, duke aluduar se do të zhvillohet në objektet komunale.
“Jemi të gatshëm të mbahet seanca. Jemi në përpjekje të harmonizimit të qëndrimeve të përbashkëta me Ministrin e Pushtetit Lokal. Informacionet të gjitha do t’i kemi së shpejti. Vendimin do ta bëj të ditur ministria. Besoj që së shpejti do të mbahet, jemi brenda fateve kohore dhe do të mbahet seanca solemne kur të jetë një qëndrim unik mes kryetarëve dhe Pushtetit Lokal.”, u shpreh Zeqiri në Prime Time./Gazeta10