
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se në takimin me emisarin amerikan, Gabriel Escobar, është diskutuar rëndësia e integrimit ekonomik në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal.
“Diskutimi u përqendrua po ashtu tek rëndësia e integrimit ekonomik të rajonit të Ballkanit Perëndimor, në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, në rëndësinë që kanë, siç është iniciativa për Ballkanin e Hapur, për të cilin për momentin institucionet e Kosovës janë ngurues që të bëhet Kosova”, ka thënë ai.
Zeka në një intervistë për KP, ka thënë se OEAK e mbështetë iniciativën për Ballkanin e Hapur.
“Ne si Odë ekonomike Amerikane mbështesim iniciativën për Ballkanin e Hapur, ku kemi provuar që ta theksojmë rëndësinë e një iniciative si Ballkani i Hapur para Qeverisë së Kosovës. Kemi kërkuar që e njëjta të bëhet pjesë e diskutimeve ku formësohet korniza për një treg të përbashkët rajonal me emrin Ballkani i Hapur ose me ndonjë emër tjetër. Fatkeqësisht institucionet e vendit e shohin ndryshe këtë çështje”, thotë ai./Gazeta10